Ronaldo makineri golash dhe parash, “Football Leaks” zbulon kontratën faraonike me “Nike”

0
328

Juventusit nuk i ka shkuar dëm blerja që bëri vitin e kaluar kur solli në Torino një nga yjet e futbollit botëror, Kristiano Ronaldon. Në vetëm një vit nga shitja e fanellave të portugezit në treg, nga Kina në SHBA dhe në të gjithë Europën, “Zonja e Vjetër” siguroi miliona euro, duke i nxjerrë shpenzimet për blerjen e tij në harkun kohor të më pak se tre muajve, si pasojë e shitjes masive të fanellave, por edhe të reklamave të fuqishme. Sepse Ronaldo prodhon në fushë gola dhe spektakël, por jep spektakël dhe para edhe jashtë fushe, prandaj blerja e Juventusit rezultoi një goditje e madhe në treg. Kristiano Ronaldo nuk është vetëm një makineri golash, por edhe fitimesh. Këtë e vërteton më së miri informacioni i dalë së fundmi për një kontratë që ai ka firmosur me kompaninë e madhe amerikane të veshjeve sportive, “Nike”, një kontratë që e shndërron atë automatikisht në milioner. Milioner në fushë dhe milioner jashtë fushe. Kështu mund të cilësohet më së miri ylli portugez i futbollit, Kristiano Ronaldo, i cili pritet të përfitojë plot 126 milionë euro nga një kontratë sponsorizimi me gjigantin amerikan “Nike”. Lajmi është publikuar nga gjermania “De Spiegel” që ka arritur të sigurojë të dhënat e kontratës nga “Football Leaks”, ku thuhet se Ronaldo do të shërbejë si imazh i “Nike” deri në vitin 2026 për të përfituar një shifër të tillë. Sipas kontratës së Ronaldos me gjigantin amerikan, pagesa ndaj portugezit do të jetë një bazë prej 3.65 milionë eurosh dhe një shpërblim ekstra prej 16.2 milionë eurosh, për çdo sezon që portugezi do të luajë për një skuadër të madhe. Këtyre të ardhurave u shtohen edhe rreth 30 milionë euro në sezon, që Ronaldo i merr si pagë te Juventusi, ndërsa tërheqja për portugezin duket e largët, të paktën për aq kohë sa “Nike” i garanton miliona. Ndërkohë, Ronaldo mbetet kandidati kryesor në Itali për të fituar “Këpucën e Artë”. Sezonin e kaluar fitoi titullin kampion me bardhezinjtë por nuk ia doli të fitojë Kupën e Italisë, të cilën e rrëmbeu Lacio, as Champions League të cilën e fitoi Liverpuli. Madje në Ligën e Kampioneve Juventusi u eliminua në çerekfinale nga Ajaksi, duke bërë që Ronaldo të “helmohet” jashtë mase. Gjithsesi, për të pozitat janë të forta dhe ai gëzon formë të mirë sportive, duke dëshmuar vitalitet në fushë dhe një personazh mjaft karizmatik. Edhe në edicionin e ri Ronaldo do të ketë shansin të rivalizojë për të fituar të tre trofetë madhorë në garë, si titullin në Serie A, Kupën e Italisë, por edhe Champions League. Madje Juventusi cilësohet si skuadër favorite në Ligën e Kampioneve dhe kjo vjen nga grupi që ka, stabiliteti në formacion dhe njëherësh investimi i fuqishëm. Dhe sa kohë është Ronaldo në fushë, ekziston shansi për triumf dhe përfitime marramendëse. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here