Filmi “Dera e hapur”, në garën kryesore të Festivalit të Sarajevës

0
426

Filmi “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas është në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që këtë vit zhvillon edicionin e 25-të. Lidhur me këtë reagoi ditën e djeshme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u shpreh entuziaste për garën dhe shtoi se pret një lajm të mirë nga gara. Sipas saj, renditja e filmit “Derë e hapur” në garën kryesore hap një derë për kinematografinë shqiptare. “Një derë e hapur për kinematografinë shqiptare, në Festivalin e Sarajevës. “Open door”, me regji të Florenc Papas, ku interpretojnë aktorët Luli Bitri, Jonida Vokshi, Gulielm Radoja, Sotiraq Bratko etj., konkurron për çmimet e mëdha të një prej festivaleve më të rëndësishëm të kinematografisë. Me ankth presim ceremoninë e ndarjes së çmimeve! Suksese”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me producent Eno Milkanin, “Derë e hapur” është bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Italisë dhe Maqedonisë. Edicioni i këtij viti i “Sarajevo Film Festival” do të zhvillohet nga data 16 deri më 23 gusht.

Përmbajtja e filmit

Filmi “Derë e hapur” tregon historinë e dy motrave të cilat nisin një rrugëtim gjatë të cilit ballafaqohen shpesh me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma. Ajo është një vajzë shqiptare që jeton ilegalisht në Itali. Elma mban në bark një fëmijë , por babai i fëmijës gjendet në burg. Autoritetet italiane e deportojnë atë në Shqipëri. Kur kthehet, Elma ndodhet në udhëkryq dhe nuk di kujt t’i drejtohet për ndihmë. Ajo vendos të shkojë tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dyja motrat nisin një rrugë të gjatë me makinë dhe drejtohen për tek shtëpia e babait të tyre tradicional. Por Elma nuk është fort dakord me këtë vendim dhe gjatë rrugëtimit me makinë ajo bën çmos që të mos shkojë tek shtëpia e babait të saj. Pas shumë peripecish dhe një mori marrëdhëniesh midis motrave, në një moment në histori ato i lidh e shkuara dhe i bën bashkë derisa ja dalin të shkojnë të babai i tyre në fshat. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës. “Rolet në filmin “Derë e hapur” i janë besuar aktorëve të njohur për publikun por nuk mungon dhe një djalë 5 vjeçar. “Kasti i aktorëve përshin një shumëllojshmëri aktorësh, që nga djali i vogël 5-vjeçar deri tek emra të mëdhenj të kinemasë shqiptare si Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha dhe Sotiraq Bratko”, u shpreh pak ditë më parë regjisori i filmit Florenc Papas. Sipas tij, surpriza më e madhe e filmit është djali 5-vjeçar. “Surpriza më e madhe ka qenë djali i vogël, i cili mund ta quajmë kryesor në film pasi përshkon edhe ai gjithë rrugëtim dhe ai është Maxwell Guzja. Ka këtë gjeografi, pasi zhanri i filmit i përket asaj që quhet road-movie, pra filmi ndodh në rrugëtim dhe hera- herës skenat zhvillohen në “kutinë” e veturës së personazhit kryesor. Një hapësirë e limituar nga ana vizuale, por e fortë dramaturgjikisht për dy heroinat e filmit”, shtoi ai. Projekti kinematografik i filmit artistik me metrazh të gjatë “Derë e hapur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Kosovë, por ka gjetur financime dhe nga Eurimages, SEE Cinema Network. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here