Prej vitesh ndërkombëtarët kanë dhënë alarmin mbi rritjen e ndikimit rus në Ballkan. Deri më tani ka pasur shumë liderë që kanë deklaruar se rajoni është i rrezikuar, por alarmi është dhënë nga dy prej institucioneve të rëndësishme në arenën ndërkombëtarë: NATO dhe Këshilli i Evropës në BE. Gazeta ka siguruar dy dokumente të nxjerra prej tyre mbi ndikimin rus në Ballkan, ku përmendet dhe Shqipëria. Sipas raportit, në Maqedoni, Serbi, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëria, Moska ndjek strategji nga më të ndryshmet për të ndikuar, ku më kryesorja është kapja e të korruptuarve. Sipas NATO, problem në disa vende, e sidomos në Shqipëri, është korrupsioni me drejtësinë dhe Moska, sipas raportit, po teton të ndikojë në rritjen e korrupsionit. Po ashtu teknika të tjera ndikimi janë përmes investimeve, përmes dhënies së vizave, por dhe fesë. “Megjithëse përfshirja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor u reduktua në vitet 2000, Moska ka vendosur përsëri prezencën e saj dekadën e fundit me president Vladimir Putin. Duke ofruar favore si ato të vizave, projekte energjie, tregtie e investime të tjera, Rusia ka rritur angazhimin në rajon dhe rrjedhimisht po ngadalëson integrimin e rajonit në BE. Moska po përdor çdo mundësi si ryshfeti, korrupsioni për të avancuar interesat e saj dhe për të rritur ndjenjat anti-perëndimore. Përpjekjet e Rusisë në rajon ndihmohen nga elitat e regjimeve autoritare, të cilat janë të zhgënjyer me procesin e ngadaltë të anëtarësimit në BE dhe kanë pezulluar procesin e reformave”, thuhet në raportin e nxjerrë nga NATO sa i takon situatës në Ballkan. Por përveç ndikimeve politike apo ekonomike, në vende si Shqipëria dhe Kosova, Moska po teton të ndikojë përmes fesë. Kjo gjë është bërë e ditur në një raport të Këshillit të BE, ku thuhet se teksa Shqipëria dhe Kosova shihen si shtete që dërgojnë ushtarë pranë ISIS, Moska po rrit influencën ortodokse. “Numri i madh i militantëve islamikë nga Bosnja, Shqipëria e Kosova në Lindjen e Mesme që kthehen në shtëpi nga konfliktet, i ka dhënë Rusisë mundësinë e luajtjes së kartës së ‘solidaritetit kristian ortodoks’”, thuhet në raport.










































