Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një udhëzim, në të cilin përcaktohet qartë se çdo kompani që ka nën zotërim një leje për minierat, ka detyrim ligjor që të sigurojë jetën e punonjësve. Ky ligj i miratuar nga AMF do të hyjë në fuqi në 1 shtator 2019. Në udhëzim janë përcaktuar qartë detyrimet që kanë kompanitë e sigurimeve që të marrin përsipër këtë sigurim për t’i raportuar shitjet e policave që bëhen për këtë kategori. Në nenin pesë të udhëzimit, Autoriteti përcakton qartë se shoqëritë e sigurimit duhet të marrin të gjithë masat të zhvillojnë nga ana e tyre sistemin për ta përshtatur me shërbimet që do të ofrohen nga AMF, për të identifikuar dhe për të raportuar shitjen në kohë reale të çdo police minatori. “Shoqëritë e sigurimit apo agjentët mund të raportojnë shitjen, në një kohë të mëvonshme vetëm kur Sistemi i AMF shfaq probleme madhore deri në mosfunksionimin e plotë të tij dhe kjo procedurë miratohet me shkrim nga drejtuesit ekzekutivë të Autoritetit sipas rastit. Shoqëritë e sigurimit duhet të marrin të gjithë masat për të identifikuar dhe për të raportuar shitjen në kohë reale të çdo police të sigurimit të punonjësve nga aksidentet personale në punë. Shoqëritë e sigurimit duhet të njoftojnë Autoritetin për të dhënat e identifikimit të personit të autorizuar. Për çdo ndryshim në lidhje me punonjësit e autorizuar që përdorin këtë sistem, shoqëria duhet të njoftojë me shkrim brenda 2 ditëve pune”, thuhet në nenin 5 të udhëzimit.
Mënyra e funksionimit
Po ashtu, në nenit 7 shprehet qartë edhe mënyra e funksionimit të policave të minatorëve. Në udhëzim theksohet se policia e minatorëve është kolektive, ku do të vendosen si numri i serisë, ashtu edhe data e shitjes apo periudha e vlefshmërisë. “Të dhënat e kërkesës për raportimin e policave të minatorëve nga shoqërinë e sigurimit vijnë në kohë reale në Sistemin e Raportimit të Policave të Minatorëve. Për çdo kërkesë programi gjeneron automatikisht një numër unik të rastësishëm, i cili printohet në policë në momentin e lëshimit. Ky numër i rastësishëm është unik dhe i trajtës alfanumerike dhe shërben për të vërtetuar raportimin e policës në sistemin e Autoritetit. Polica e Minatorëve është policë kolektive, në të cilën vendoset nr. i serisë, data e shitjes, periudha e vlefshmërisë, subjekti (të dhënat e të cilit kontrollohen me Regjistrin Kombëtar të Bizneseve), primi, statusi në të cilën ndodhet etj”, thuhet në nenin 7 të udhëzimit.
Detajet që do raportohen
Në nenin 6 të udhëzimit përcaktohen edhe detajet që do të raportohen. Çdo policë identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Sistemi i Raportimit të Policave të Minatorëve dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Shitja e policave nuk duhet të realizohet në rast se mungon numri unik i gjeneruar nga sistemi AMF. “Polica e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Sistemi i Raportimit të Policave të Minatorëve dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Shitja e policave nuk duhet të realizohet në rast se mungon numri unik i gjeneruar nga sistemi AMF. Komunikimi i sistemeve informatike respektive të sistemit të raportimit të policave të Minatorëve, në funksion të dhënies së aksesit përdoruesve të autorizuar, duhet të realizohet nëpërmjet linjave të komunikimit (parësore dhe back-up). Për këtë arsye shoqëritë e sigurimit duhet të njoftojnë autoritetit për IP e tyre dhe për çdo ndryshim të mundshëm në të ardhmen”, thuhet në nenin 6 të udhëzimit. Referuar të dhënave zyrtare deri në fund të vitit 2018 në sektorin minerar operonin 604 subjekte me një numër të punësuarish rreth 6500.