Partia Socialiste anuloi ditën e djeshme betimin e Valdrin Pjetrit për kryetar të Bashkisë në Shkodër. Ndonëse gjithçka ishte bërë gati, që nga këshillat bashkiak e deri te Prefektura, i cili do të ishte vendi ku Pjetri do të betohej. Ky vendim i papritur i mazhorancës erdhi pas publikimit të fakteve nga ana e Partisë Demokratike, se ai ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali. Faktet e nxjerra nga selia blu duket se e fundosën totalisht Valdrin Pjetrin. Për të vërtetuar sa më parë faktet e nxjerra nga opozita, sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka kërkuar shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit, të cilat do i dërgohen nga INTERPOL Tirana në drejtim të INTERPOL Roma, për të bërë verifikimin e tij në pak ditë. Prokuroria e cila i ka nisur hetimet në ditët e para të gushtit pas denoncimit të PD, mësohet se fillimisht u është drejtuar ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe gjykatave shqiptare duke i pyetur nëse Valdrin Pjetri kishte precedent penalë. Tashmë këto institucione i kanë kthyer përgjigje organit të akuzës duke theksuar se në Republikën e Shqipërisë Valdrin Pjetri nuk ka precedent penal. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Europolit me kërkesën për të verifikuar bazën e të dhënave për të kryebashkiakun e Shkodrës të dalë nga votimet e 30 qershorit. Një burim i prokurorisë, tha se referuar kallëzimit të PD, është kërkuar informacion nga Interpoli dhe Europoli nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndalimi, arrestimi apo dëbimi në shtetin italian në vitet 2001-2002. Kjo kërkesë për informacion është dërguar me letër-porosi në adresë të palës italiane ndërsa grupi i hetimit është në pritje të përgjigjes për këtë çështje.
Fati i Bashkisë Shkodër
Pas fakteve publike të PD dhe distancimit të PS, pyetja që lind natyrshëm është se si do të shkojëfati i Bashkisë Shkodër. Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë nisur procedurat e verifikimit pas denoncimit të demokratëve, e nëse vërtetohet se Valdrin Pjetri ka gënjyer jo vetëm partinë, por edhe shkodranët ai nuk do e gëzojë asnjë ditë Bashkinë e Shkodrës. Më 20 gusht kur i përfundon edhe mandati i kryebashkiakes demokrate parashikohej të bëhej konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës, por gjithçka është pezull deri në një vendimmarrje politike nga socialistët, të cilët presin një përgjigje nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Nëse akuzat ndaj Vladrin Pjetrit vërtetohen edhe nga organet e drejtësisë shqiptare dhe italiane atëherë kandidati socialist largohet për shkak të dekriminalizimit, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Shkodër. Në këtë moment, në lojë futet edhe presidenti, i cili duhet të vendosë për një datë të re zgjedhjesh. Por, Ilir Meta nuk e njeh 30 qershorin, dhe automatikisht as kryebashkiakët e dalë prej këtij procesi.
PD letër Prokurorisë
Ndërkohë që Prokuroria ka nisur me proceduar e verifikimit të figurës së Valdrin Pjetrit, PD i ka dërguar një kërkesë në të cilën i kërkon që të jetë në dijeni të procedurave që po ndiqen. Në letrën e cila mban firmën e sekretarit të përgjithshëm Gazmend Bardhi, theksohet se organi i akuzës ka vepruar me vonesë, duke mos marrë parasysh dokumentet që ata kanë nxjerrë rreth 2 javë më parë. “Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”, thuhet në letrën e PD.
Elisjeda Kiko


































