Shtresat në nevojë vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi ditën e djeshme një të punësuar me karrige me rrota në sektorin e shërbimit të ADISA në Tiranë, ndërsa bëri me dije edhe benefitet që kjo kategori njerëzish përfiton nga ligji i ri për personat me aftësi të kufizuara. Gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu deklaroi se përveç pagës si të punësuar, personat me aftësi ndryshe do të përfitojnë edhe paketën e plotë të mbrojtjes sociale që i sigurohet nga shteti, përfshirë edhe pagesën e aftësisë së kufizuar. Sipas saj, ligji i ri i asistencës sociale ka hequr limitin për mbështetjen e personave me aftësi ndryshe që punojnë. “Përveç pagës si të punësuar, personat me aftësi ndryshe do të përfitojnë edhe paketën e plotë të mbrojtjes sociale që i sigurohet nga shteti, përfshirë edhe pagesën e aftësisë së kufizuar, gjatë gjithë kohës, pavarësisht se janë në punë. Jemi këtu me një lajm të mirë për Ilirin dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuara që punojnë. Hiqet limiti 48-mujor i pagesës së aftësisë së kufizuar për personat e punësuar, duke nxitur punësimin dhe integrimin e kësaj kategorie përmes punësimit, pasi ata do ta përfitojnë paketën e plotë të mbrojtjes sociale, gjatë gjithë kohës”, deklaroi ajo. Më tej, Manastirliu theksoi se deri tani, personat me aftësi ndryshe e merrnin pagesën e aftësisë së kufizuar edhe 4 vite pas punësimit, ndërsa me ligjin e ri, sipas saj, e marrin përfitimin pa ndërprerje. Gjithashtu, ajo deklaroi se ligji i ri i Asistencës Sociale zgjeron mbrojtjen për kategoritë në nevojë. “Të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i Sigurimeve Shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit, tashmë bëhen pjesë e skemës së mbrojtjes sociale, duke u përfshirë në ligjin e ri të asistencës sociale”, nënvizoi Manastirliu. Ligji i ri i asistencës sociale parashikon përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal duke zgjeruar gamën e përfituesve dhe duke përfshirë në skemë rreth 4000 persona, të cilët më parë nuk mund të përfitonin nga skema e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk plotësonin kushtin e të pasurit 12 muaj kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore në 5 vitet e fundit. Nga skema e mbrojtjes sociale përfitojnë mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe invalidë pune.