KLGJ rrëzon Metën dhe pranon sugjerimet e Euralius, emëron gjyqtarë të përkohshëm për të zgjidhur ngërçin në Gjykatën e Lartë

0
355

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë parasysh kërkesat e Presidentit Ilir Meta sa i takon ngërçit në Gjykatën e Lartë. Përmes një letre, Meta shprehej se nuk duhet të pranohej sugjerimi i Euralius për të dërguar gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Por KLGJ dje ka bërë të kundërtën e asaj që kërkonte Meta, duke pranuar një nga sugjerimet e Euralius. KLGJ zhvilloi ditën e djeshme një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë. Në lidhje me këtë ngërç, nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Maks Qoku propozoi një mënyrë alternative, duke kërkuar që Gjykata e Lartë të ngrihet me gjyqtarë të përkohshëm. Ky propozim mori pëlqimin e të gjithë anëtarëve të KLGJ, ku u votua në unanimiteti të plotë. Gjatë mbledhjes së djeshme u vendos që për çështje të caktuara gjyqësore dhe që janë në limite të afatit të shqyrtimit, KLGJ do të zgjedhë përmes shortit anëtarë nga Gjykatat e Apelit për t’i dërguar si gjyqtarë të caktuar në Gjykatën e Lartë. Kushti për këta gjyqtarë është që të kenë kaluar vetingun dhe të kenë 13 vite eksperiencë. Por po ashtu, gjatë mbledhjes së KLGJ u hap gara për juristët më të spikatur që mbartin ekspertizën e nevojshme për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë, ndërsa u listuan edhe problematikat më emergjente.

Problemet që sjell mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë prej pak kohësh është jashtë funksionimit dhe si pasojë mund të ketë një eksod dosjesh për gjykim drejt Strasburgut, çka i shkakton buxhetit të shtetit një rëndesë. Nënkryetari i KLGJ Maks Qoku u shpreh se mosngritja e Gjykatës së Lartë do të dëmtojë si imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pasi do të lirohen personat e ndaluar për ekstradim, por edhe Buxhetin e Shtetit, pasi mund të ketë eksod të çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut. “Problematikë është shqyrtimi mbi kompetencat mes gjykatave; Pamundësia e shqyrtimit të çështjeve civile me objekt rekursi përsa i përket sidomos ankimeve të individit, por edhe ankimeve të shtetit që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Problematikë është edhe “eksodi” i çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut ne rast mos funksionimi vazhdues të Gjykatës së Lartë”, u shpreh Qoku. Trajtimi i çështjeve për ekstradim duket se do të jenë edhe prioriteti i Gjykatës së Lartë, pasi siç deklaroi nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Maks Qoku, për shkak të mos-funksionaliteti të Gjykatës së Lartë me ezaurimin e afateve ndryshon edhe masa e arrestit për personat e ndaluar me qëllim ekstradimin.

Formula e Euralius

Duke qenë se Gjykata e Lartë është jashtë funksionimit se ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte, dy ekspertët e Euralius, Grzegorz Borkowski, Klodian Rado rekomanduan emërimin e gjyqtarëve të përkohshëm, në mënyrë që të tejkalohet ky ngërç që është krijuar. “Me qëllim që të kalohet kjo periudhë tranzitore, ndërkohë që procesi i ngritjes në detyrë dhe i emërimit në Gjykatën e Lartë nuk ka përfunduar ende, KLGJ-ja mund të konsiderojë të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimin e misionit Euralius.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here