Një grup personash, të dyshuar si trafikantë droge, shqiptarë e italianë u arrestuan përpara disa ditësh. Shtetasit shqiptarë e italianë u arrestuan për trafik droge nga Shqipëria në Messina. Ata u prangosën në kuadër të operacionit “Tuneli”.
Përpara gjykatës sot do të paraqiten disa italianë dhe shqiptarë. Emrat e shqiptarëve janë Ernard Hoxha 34 vjeç, Rito Mecaj, 47 vjeç; Ajet Cepaj, 50 vjeç, Francesko Delia 29 vjeç. Të gjithë janë në burg, në pritje të gjykimit, shkruajnë mediat italiane.
Mësohet se personi kyç i trafikut ndërkombëtar të drogës është italiani Francesco Di Giovanni. Di Pietro dhe Delia kishin marrë prej tij 41 kilogramë drogë të llojit marijuanë dhe e kanë fshehur në tunelin hekurudhor të Biskontit. Pas hetimeve, karabinierët arritën të hyjnë në tunel dhe kapën ngarkesën e drogës.
Disa ditë më parë, mediat italiane bënë me dije se në shtetin fqinj u shkatërrua një bandë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në përbërje të së cilit ishin shqiptarë e italianë. Në raportimin e mediave italiane bëhet me dije se të arrestuarit, edhe pse akuzohen për vepra të rënda penale, kanë dalë të buzëqeshur përpara kamerave. Ata tashmë do të duhet të përballen me drejtësinë.