Reforma në drejtësi hyn në shina, KLP kërkon informacion shtesë për kandidatët për kryeprokuror, të hënën nisin seancat dëgjimore për SPAK

0
395

Brenda verës marrin fund të gjitha problemet e reformës në drejtësi. Deri më tani Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë hasur vështirësi në emërimet. Ndërkohë që, ende nuk janë zgjedhur anëtarët e SPAK, të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Inspektorit të Drejtësisë apo kryeprokurori. Por brenda verës të gjitha këto pritet të eliminohen. Brenda muajit korrikut pritet që të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, po ashtu do të mbyllen edhe intervistat për kandidatët e SPAK. Ditën e djeshme u mblodh Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili nxori një vendim të rëndësishëm, sa i takon ngritjes së Prokurorisë së Posaçme. Kështu, sipas vendimit të KLP, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të përzgjedhë 15 nga 22 kandidatët në garë për prokurorë. Si shkalla e fundit e një procesi, intervistimi i prokurorëve do të nisë të hënën. Katër të parët që do të merren në pyetje janë prokurorët Altin Dumani, Anita Jella, Anton Martinaj dhe Arben Kalaja. Secili prej tyre do të ketë një orë në dispozicion. Ndërkohë, sikundër thuhet në vendim, për të shmangur çdo lloj kontestimi intervistat do të regjistrohen nga komisioni me audio dhe video dhe për çdo ankimim të mundshëm t’i vihet në dispozicion të interesuarve. Kujtojmë që pak ditë më parë kryetari i KLP, Genti Ibrahimi deklaroi se intervistat me kandidatët e SPAK do të jenë të hapura për mediat. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë në vendim thekson se vendosi që intervistat e kandidatëve për SPAK të botohen në faqen e këshillit vetëm në pjesën e prezantimit të shprehjes së interesit motivacionit të kandidatëve për të qenë pjesë e strukturës së SPAK. Procesi i fundit që do të mbyllë dhe ngritjen e SPAK, do të nisë me 8 korrik dhe do të përfundojë më 12 korrik, për 22 kandidatë.

Kandidatët për kryeprokuror

Një tjetër vendim që ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë është se ka vendosur që të kërkojë informacion më të thelluar për kandidatin Lulëzim Alushaj, i cili kandidon për kryeprokuror. Kështu që, aspo të mbërrijnë informacionet shtesë që KLP ka kërkuar nga institucionet për kandidatin Alushaj, kryeprokurori i ri do të zgjidhet. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’ia dërgojë Parlamentit listën me 3 kandidatët që ka përzgjedhur për kryeprokuror. Kuvendi nga ana e tij i duhet të zgjedhje një kandidat prej tyre me 84 vota. Kështu që, nëse dështon zgjedhja, zgjidhet automatikisht kandidati që është renditur i pari në listën me tre emra. Ndërkohë që, sinjale se reforma në drejtësi ka hyrë në shina është ka ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka nisur punën për të përzgjedhur anëtarët e Gjykatës së Lartë. Po ashtu, edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet që të përzgjedhë Inspektorin e Drejtësisë. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi është gati, pavarësisht sulmeve të paprecedente të opozitës dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here