Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje tabelën përmbledhëse të rezultateve të votimit për kryetar të Bashkisë, Durrës, Fier, Lezhë si dhe rezultatet për anëtarët e këshillave bashkiakë në këto bashki. Kështu, në mbledhjen e djeshme KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës dhe të shpallë fitues Valbona Sako, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Po ashtu, KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjet për Këshillin e Bashkisë Durrës, Qarku Durrës. Në vijim, në mbledhjen e djeshme KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Fier, Qarku Fier dhe të shpallë fitues Armando Subashin, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, si dhe miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve për këshillin e Bashkisë Fier, Qarku Fier. Gjithashtu, KQZ vendosi të miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Lezhë, Qarku Lezhë dhe të shpallë fitues Pjerin Ndreun, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, si dhe miratoi tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjet për Këshillin e bashkisë Lezhë, Qarku Lezhë. Ndërsa për hedhjen e shortit për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 16 paraqitur nga kandidati për kryetar bashkie, Edmond Piroli, Partia Bindja Demokratike”, KQZ pas relatimit vendosi kalimin për shqyrtim në datën 9.07.2019, në orën 11:00. Ndërkohë që, drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it, Audrey Glover është takuar dje me ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri. Glover i ka njohur përfaqësuesit e komuniteteve ndërkombëtare me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale edhe Prezenca e OSBE-së, e cila ka organizuar edhe takimin. “Ambasadorja Audrey Glover e Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve njohu sot përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre, në një takim të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga faqja zyrtare e OSBE në Shqipëri.
































