Ilir Meta në alarm pas kërcënimeve të shefes së ONM me arrestime, i përgjigjet duke përmendur Spaçin, shton sulmet ndaj ndërkombëtarëve dhe reformës

0
342

Reforma në drejtësi duket se i del dhe në ëndërr presidentit Ilir Meta. Që herët në mëngjes, ai ka lëshuar të tjera sulme ndaj SHBA-BE dhe reformës në drejtësi. Përmes një statusi në rrjetet sociale ai ju përgjigj në një farë mënyre dhe shefes së ONM, Genoveva Calavera, e cila u shpreh qartë se me reformën në drejtësi, shumë zyrtarë do shkojnë në burg. Por Meta i ka sfiduar duke përmendur burgun e Spaçit. Nuk dihet se çfarë ka dashur saktësisht të thotë, por dy elementë kuptohen: Ose presidenti po e ndjen se po afrohet PSAK dhe flet për arrestime politike, ose do të tregojë se ai nuk do ikë si Gruevski dhe do luftojë përballë SPAK. “E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga SPAKU. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin”, tha ai. Edhe pse Meta po mundohet të tregojë se nuk është i trembur nga reforma, veprimet e tij tregojnë të kundërtën. Pse vetëm ai foli për burg dje, ndërkohë që Calavera nuk përmendi emra? Gazeta tha pak ditë më parë se presidentit i kanë sharku në vesh fjalë se dosja e tij po bëhet gati dhe sapo SPAK të ngrihet do ketë telashe. Kjo është dhe arsyeja e përplasjes së tij me ndërkombëtarët.

Sulmet ndaj ndërkombëtarëve

Meta e ka ndarë mendjen se do të jetë në luftë me ndërkombëtarët. Edhe pse ai sulmon reformën në drejtësi, ata ja kanë bërë të qartë se ajo po ecën shumë mirë dhe nuk ka kthim pas. Por Meta dje ka arritur deri aty sa ka folur për kor të strukturuar ndërkombëtarë me qëllim kapjen e reformës. “Kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës. Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi”, tha ai. Meta ka akuzuar po ashtu kryeministrin se ka kapur reformën përmes njerëzve pranë tij, ndërsa ka përmendur dhe Komisionin e Venecias. “Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikëti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin ‘È buono per l’Albania’”, ka deklaruar ai. Fjalët e fundit në italisht të Metës dyshohet se janë për ambasadorin e BE ose atë italian, pasi që të dy janë nga Italia. Së fundmi Meta ka pasur përplasje të forta me Luigi Sorecën, i cili ja ka bërë të qartë se reforma nuk kthehet pas.

Frika e Metës

Meta ka paralajmëruar se do nxjerrë fakte kundër reformës në drejtësi dhe nuk po kursen asnjë ndërkombëtar që del në mbështetje të saj. Por edhe pse Meta mundohet të tregojë se po e sulmon reformën jo për shkak të frikës, por për të mirën e shqiptarëve, të gjithë e dinë se ku fle lepuri. Reforma ka 3 vite që është miratuar dhe pse Meta po e sulmon tani? Pse po e sulmon disa javë para shkarkimit? Fakti që ndërkombëtarë dolën kundër tij dhe po mbështesin shkarkimin dhe shkrirjen e LSI, tregon qartë se SHBA e BE i kanë vënë vizën presidentit dhe ai tani është alarmuar. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here