Ditën e djeshme në mediat italiane bëri bujë arratisja spektakolare e dy shqiptarëve nga burgu.Kujtojmë këtu se 26-vjeçari Ervis Markja dhe 28-vjeçari Adriatik Gega janë arratisur nga burgu në Caserta.
Po ashtu mësohet se dy të rinjtë shqiptarë janë shpallur në kërkim nga policia italiane.Lajmi për arratisjen e tyre u dha nga sekretari rajonal i policisë, Ciro Auricchio dhe sekretari kombëtar Giuseppe Moretti.
Më tej mediat italiane shkruajnë se ata janë larguar pasi kishin sharruar hekurat e qelisë dhe më pas kishin zbritur nga dritarja duke përdorur batanije.E gjithë ngjarja ka ndodhur teksa binte një shi shumë i madh. Siç thamë edhe më lart arratisja e tyre ka bërë shumë bujë dhe tashmë janë vënë në dijeni autoritetet e mbarë vendit.Bëhet e ditur se Adriatik Gega është arrestuar dhe burgosur në vitin 2012, nën dyshimin se i përkiste një grupi që grabiste banesat në zonë.
Ndërsa Ervis Markja u arrestua në janar 2016 me akuza për konkurrencë në marrjen e mallrave të vjedhura dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik.

































