Protesta e studentëve, Lëvizja Studentore dënon dhunimin e institucioneve dhe distancohet nga tubimi para MASR

0
388

Lëvizja Studentore u distancua nga protesta e disa të rinjve ditën e djeshme, të cilët u grumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit, ku thyen xhamat e godinës. Në një reagim në faqen zyrtare, Lëvizja Studentore deklaroi se protesta e studentëve të dhjetorit ishte një thyerje e hegjemonisë shurdh-memece e pushtetit pa qenë nevoja të thyhet asnjë xham. Po ashtu, protestën e dhjetorit e kanë cilësuar si një ngjarje historike, ku u bojkotua mësimi në të gjitha universitetit. “Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte një ngjarje historike për Shqipërinë. Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte preludi i bojkotit mbarë universitar në janar që i ndau studentët dhe pedagogët në dysh; nga njëra anë subjekte emancipues dhe nga tjetra shërbëtorë të pushtetit. Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte krijimtari konstruktive, jo dhunë e verbër dhe vulgare; ishte thyerje e hegjemonisë shurdh-memece të pushtetit pa qenë nevoja të thyhej asnjë xham. Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte refuzim i katërçiptë i llumit tre-partiak të politikës nëpërmjet kërkesave thellësisht politike”, thuhet në postim. Po ashtu, Lëvizja Studentore deklaroi se protestat e dhjetorit shërbyen si frymëzim i fuqishëm për të njohur të gjitha problemet e studentëve. “Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte anti-sistemore përmes kërkesave brenda-universitare, sepse ky sistem politik nuk mund të bashkëjetojë me arsimin publik cilësor dhe falas për të gjithë. Protesta e studentëve në dhjetor 2018 ishte ndërhyrje demokratike në sferën universitare dhe sociale. Anulimi i ligjit në arsim ngelet parakushti për një proces demokratik reformimi të universitetit, jo preteksti për rotacion pushtetar shterp. Protesta e studentëve në dhjetor 2018 është frymëzimi për organizim dhe koordinim edhe më të fuqishëm në të ardhmen, përmes njohjes së problematikave studentore dhe gjithëpërfshirjes universitare në përpjekjet që do të vijnë”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Studentore. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here