Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar një rregullore, e cila specifikon shpërblimet e prokurorëve që punojnë jashtë orarit zyrtar. Si fillim, në rregullore sqarohet se kur quhet që një prokuror po punon jashtë orarit zyrtar. “Punë jashtë orarit konsiderohen puna e kryer ditën e shtunë dhe ditën e diel, gjatë ditëve të festave zyrtare sipas përcaktimeve të bëra në vendime të Këshillit të Ministrave dhe jashtë orarit zyrtar. Kohëzgjatja ditore normale e punës konsiderohet jo më shumë se 8 orë. Konsiderohet punë e kryer gjatë orarit zyrtar, puna e kryer nga ora 8:00 deri në orën 16:0”, thuhet në rregullore. Rregullorja vijon më tej duke përcaktuar se prokurorët që punojnë jashtë orarit zyrtar në ditë festash dhe ditë pushimi do të marrin shtesë page. “Prokurori që ushtron funksionin jashtë orarit zyrtar në ditët e pushimit javore dhe festave zyrtare përfiton kompensimin financiar me shtesë page mbi pagën normale të tij ose kompensim me kohë pushimi. Prokurori që ushtron funksionin në ditët e pushimit javor apo festave zyrtare si dhe orët shtesë të kryera në orarin 22:00-06:00, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi. Prokurori që ushtron funksionin jashtë kohës normale të punës përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi. Drejtuesi i prokurorisë do të kompensojë financiarisht prokurorët sipas përcaktimeve në pikën 2 dhe 3 të këtij neni”, sqarohet në rregullore. Në rastin e pamundësisë së kompensimit financiar, atëherë prokurori do të kompensohet me kohë pushimi në rastet kur e sheh të mundur, me një pushim të paktën 25% më të madh që i korrespondon kohëzgjatjes së orëve shtesë dhe 50% më të madh që jepet brenda një muaji nga dita e kryerjes së punës. Ndërsa prokurorët që janë në gatishmëri sipas grafikut të përcaktuar nga drejtuesi i prokurorisë gjatë ditëve të javës por për shkak të gatishmërisë punojnë gjatë ditëve të festave zyrtare apo ditëve pushim, përfitojnë kompensim financiar ose kompensim me kohë pushimi si më lart. Prokurori duhet të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.