Artistët braktisin GKA pas mbylljes së dyerve nga Shkulolli, nis çelja e ekspozitave në galeritë e rretheve

0
376

Artistë të ndryshëm duket se e kanë braktisur Galerinë Kombëtare të Arteve. Përballë mbylljes së dyerve që ata janë shprehur herë pas here, galeritë në qytetet e tjera janë parë me interes për të prezantuar veprat e tyre. Në reagimet e tyre artistët shprehen se po e abandonojnë GKA për shkak se nuk ka pasur komunikim me ata, dhe ekspozitat që janë çelur kanë qenë autorë që ka dashur titullari. Këto ditë artistë të ndryshëm janë prezantuar me punët e tyre në qytetin e Korçës, në Fier, Shkodër, etj, duke u bërë pjesë e jetës artistike në këto qytete. Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura Ardian Isufi shprehet se këto ekspozita që po hapen në qytete të ndryshme gjatë kësaj kohe nuk janë të rastësishme.

“Artistët e kanë abandonuar GKA për paaftësinë e drejtorit dhe moskomunikim e këtij institucioni. Kjo që po ndodh nuk është e rastësishme. Ka ekspozitë në Shkodër, ne kemi ekspozitën e disa artistëve në qytetin e Korçës, ku do të jemi sërish në muajin nëntor në Prishtinë, kemi ekspozita në Fier, etj. Pra po hapin kudo ekspozita në qytete të ndryshme, sepse nuk kanë se çfarë të bëjnë artistët. Në fund të fundit ata duhet të ekspozohen” pohon dekani Isufi. Sipas tij, përballë asaj që po ndodh sot me GKA artistët nuk do të rrinë në heshtje, por do të vazhdojnë të sjellin me dinjitet vlerat kulturore. “GKA i ka dëbuar artistët mbi disa opinione, të cilat janë totalisht individuale dhe nuk kanë fare lidhje me kontekstin e realitetit shqiptar, opinione të cilat përpiqen të na sjellin eksperiencat botërore në mënyrë të deformuar dhe kuptohet që artistët shqiptarë do të gjejnë format e tyre të reagimit për të dhënë mesazhe të forta. Ne nuk do rrimë as nuk do heshtim, por do të vazhdojmë të sjellim me dinjitet vlerat kulturore, që lidhen qoftë me artin bashkëkohor apo me historinë e artit shqiptar. Sot po eklipsohet totalisht GKA, sepse publiku po vjen tek ne kudo ku shfaqim veprat tona. Shikoni galerinë FAB, ku dhe aktiviteti më i fundit ka pasur jashtëzakonisht publik”, shprehet dekani Isufi. Sipas tij në promovimin e vlerave të artit pamor në institucionet shtetërore ka një stanjacion. “E kemi thënë që institucionet shtetërore sa i takon promovimit të vlerave në artin pamor kanë një stanjacion të madh, ka aktivitete të zbehta. Ka një tendencë që institucionet e artit pamor shtetëror të jenë të orientuar për qëllime individuale nga lidershipët e tyre dhe mendoj që situata është e nderë. Një situatë ku fjala no coment flet shumë, sepse nuk kemi se çfarë të themi më”, vijon më tej dekani Isufi.

Politikat e gabuara në institucion

Piktori Adrian Devolli shprehet se GKA duket sikur është kthyer private. “GKA aty duket sikur është bërë galeri private. Ose ekspozita të artistëve të huaj ose nga Kosova. Nuk ka komunikim me artistët, nuk ka ekspozita me artistët nga Shqipëria. Përderisa drejtori ka mbyllur dyert, autorët do të ekspozojnë diku tjetër. GKA është mbyllur, unë se di çfarë politike është për ta shkatërruar këtë art”, pohon piktori Devolli. Por dhe skulptori Ermir Grezda, që protestoi disa kohë më parë para hyrjes së GKA shprehet se është një institucion që nuk ka mirëpritur artistët. “GKA ka mbyllur dyert, unë kam shkuar për ekspozitë atje dhe nuk më kanë pranuar”, pohon ai. Në galerinë e qytetit të Fierit çelet një tjetër ekspozitë me veprat e piktorit të njohur Agron Polovina. Ai shprehet se refuzimi që GKA i ka bërë miqve të tij piktorë ka bërë që dhe ai vetë të mos trokasë atje. “Unë nuk kam trokitur në GKA, artistët projektojnë gjëra që i quajnë të mundshme për ti realizuar, por në GKA nuk është e tillë. Refuzimi i miqve të mi në GKA është në një farë mënyre dhe një lloj pritshmërie e tillë, sepse nuk ka programe specifike për të bërë ekspozitat e artistëve. Edhe nëse GKA ka një plan të vetën për ekspozita edhe në këtë rast nuk do ti bjeri rëndësia galerive në rrethe, sepse artistët janë më shumë se sa janë galeri.

Në stafin e drejtuesit më parë ka pasur ekspozita në GKA, nuk kanë qenë kaq të rralla. Në një farë mënyre në atë periudhë ka bërë një lloj ekspozimi të artistëve jo vetëm atyre me karrierë të gjatë, por dhe të rinjve”, pohon piktori. Por edhe për piktorin Nikolin Ivanaj nëse GKA me politikat që ka ndjekur i ka braktisur një herë artistët, ata e kanë braktisur dhjetë herë më shumë për shkak të gjendjes së krijuar. “Ne do të vazhdojmë punën tonë me artin, do të vazhdojmë të hapim ekspozita. Ne jemi vazhdimisht në rrethe me veprat tona në pikturë, por problemi qëndron që GKA nuk ka akoma një status të vetin, drejtorët bëjnë si duan. Vjen një drejtor bëhet pasha dhe bën sipas qejfit, pra gjithmonë nën komandën e qeverisë në pushtet GKA. Na ka braktisur ne GKA, por dhe ne e kemi harruar dhe braktisur dhjetë herë më shumë”, pohon piktori Nikolin Ivanaj.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here