Vetingu, sherr në Kolegjin e Apelimit, ONM i jep goditjen finale Rovena Gashit, ja gjetjet për Fuat Vjerdhën

0
416

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u përfshi ditën e djeshme nga sherret dhe debatet. Paraditen e djeshme u mbajt seanca e radhës për ish-prokuroren Rovena Gashi, e cila kërkon nga trupa gjykuese që ta rikthejnë në detyrë. Por kjo seancë u shoqërua nga debatet dhe tonet e ashpra mes Gashit dhe trupës gjykuese. Ashtu si dy herët e tjera, edhe dje trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla, kryesuese; Luan Daci, relator dhe Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, i refuzuan Rovena Gashit mbrojtjen ligjore përmes motrës së saj, Ema Gashi. Kjo e fundit është gjyqtare në Durrës, por sipas KPA, ajo nuk plotëson kushtet për të qenë ndihmëse ligjore e Rovena Gashit. Ish-prokurorja kërkoi herën e kaluar më shumë kohë që motra të japë dorëheqjen si gjyqtare, por KPA argumentoi dje se për shkak të afateve të procedurave, Ema Gashi vijon të jetë gjyqtare e Durrësit. Refuzimi për të tretën herë i kërkesës së ish-prokurores për t’u mbrojtur nga motra e saj, shkaktoi nervozizëm tek Gashi. Pasi akuzuan trupën gjykuese se po shkel procedurat, të indinjuara motrat Gashi lanë sallën, ndërsa trupa gjykuese e vijoi relatimin edhe në mungesë të saj. Kryesuesja e seancës lexoi të plotë gjetjen dhe provat bashkëlidhur saj të paraqitura në KPA nga vëzhguesja ndërkombëtare, Mia Roessingh – Bakels. Kjo gjetje është paraqitur nga vëzhguesja e ONM për arsye se subjekti i rivlerësimit, në ankimin e paraqitur kundër vendimit të KPK, ka pretenduar pamundësinë për të qenë e pranishme në seancë. Bashkëlidhur këtij ankimi, subjekti i rivlerësimit kishte vendosur një raport mjekësor për të vërtetuar pretendimin e paraqitur. Por sipas ONM, ajo nuk ka qenë sëmurë, por s’ka dashur të paraqitej në seancë. Kjo do të thotë se përmes raportit, ONM i jep goditjen finale Rovena Gashit dhe rëndon pozitat e saj, duke rrezikuar shkarkimin për herë të dytë. Vendimi për Gashin do të jepet më 29 maj ora 14:00. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kaloi dje në “sitë” kryetarin e Gjykatës së Apelit Civil Shkodër, Fuat Vjerdha. I njohur ndryshe si një nga gjyqtarët që votoi kundër heqjes së dënimit me burgim përjetë për Dritan Dajtin, Vjerdha rezultoi i pastër para trupës gjykuese. Sipas KPK, ai zotëron dy apartamente, një garazh, një dyqan dhe një makinë. Për këto pasuri Vjerdha ka sqaruar se i ka të trashëguara nga nëna e subjektit, si bashkëpronare e truallit ku është ndërtuar pallati. Ndërkohë, nga hetimi i thelluar i KPK nuk ka rezultuar ndonjë problematikë e madhe, përveç faktit se kishte të dhëna kontradiktore sa iu takon sipërfaqeve të pasurive. Por këtë pikë Fuat Vjerdha ka dhënë sqarimet e nevojshme. Po ashtu, KPK ka konstatuar se për një periudhë kohe Vjerdha s’i ka paguar taksat për të ardhurat që përfitonte nga qiradhënia e dyqanit, por ato janë paguar më vonë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here