Kryeministri Edi Rama reagoi dje për herë të parë sa i takon tabelave në gjuhën greke në Finiq. Gjatë aktivitetit në kuadër të Javës së Evropës, Rama tha se ato tabela u hoqën sepse ishin pa leje dhe nuk zbatonin rregullat e sigurisë rrugore. Ai paralajmëroi se këto tabela do të rivendosen mbi bazën e ligjit në fuqi. Ndërsa atyre që e hapën këtë si debat, kreu i qeverisë iu drejtua duke deklaruar se Shqipëria është vend evropian. Me ironi Rama i quajti ata patriotë dhe ultra-atdhetarë. “U ngrit një furtunë për disa tabela të vendosur në një zonë dhe pranë një zone me shumicë minoritare. U tha çfarë nuk u tha këtej, u ç’u pasua andej, gjithmonë nga zërat dhe burimet që kërkojnë sherr, por është shumë e thjeshtë. Tabelat nuk u hoqën se kishte lidhje me minoritetin por ishin jashtë kritereve dhe të pa marrë parasysh parametrat e sigurisë duke shmangur nevojën e një leje që do i evitonte të gjitha këto dhe shpenzimet e bëra. Nuk u hodhën për të mos u vënë më, nesër do të vendosen dhe deri të premten do të jetë të vendosura të gjitha mbi bazën e ligjit në fuqi dhe kritereve teknike. Të gjithë atyre që bëjnë patriotin apo ultra atdhetarin duke vendosur kujën sepse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela ku shkruhet edhe greqisht u them se ne jemi një vend evropian dhe kur flasim për Evropën, flasim edhe për këtë. Përveçse për traditën tonë të respektit dhe të trajtimit të barabartë të kujtdo, pavarësisht kombësisë, që jeton në këtë shtëpi”, tha Edi Rama. Kjo deklaratë e tija duket se ishte një kundërpërgjigje për kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili pak ditë më parë u ngrit i shqetësuar për këtë çështje dhe tabelat greke i cilësoi si provokim. Ai i kërkoi qeverisë të reagojë menjëherë. Ndërkohë, lidhur me këtë çështje reagoi edhe ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos. “Radha e gjuhës në tabela sipas Shqipërisë, është fillimisht shqip pastaj greqisht. Mbetet të shohim si do veprohet për tabelat. Morëm përgjigje nga Shqipëria. Na thanë se heqja e tabelave u bë për të ndryshuar radhën, fillimisht shqip, pastaj greqisht”, deklaroi Katrugalos.
Home Aktualitet Tabelat greke në Finiq, kryeministri “shpërthen” ndaj PDIU: Po bën ultra-atdhetarin, jemi...