Rritet interesi i programuesve të sinematekave në botë për regjisoren shqiptare Xhanfise Keko

0
522

Filmat e regjisores Xhanfise Keko po shfaqen nëpër festivale të ndryshme në botë duke ngjallur interesin e publikut. Nga 24 – 30 prill, filmat “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film” u shfaqën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Linz (Austri), si pjesë e një retro me shtatë filma dedikuar kinemasë shqiptare. Në 1 dhe 2 maj filmat “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film” u shfaqën nga Wiena Film Museum (Austri), institucioni më prestigjioz i kinemasë austriake, në tributin dedikuar regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Por në vijim të prezantimit të tyre në vende të ndryshme të botës, nga data 24 maj- 1 qershor, filmat “Mimoza llastica” e “Tomka dhe shokët e tij” do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Zlin (Çeki) si pjesë e “Kinemasë Ballkanike”. Siç shihet, axhenda e regjisores Xhanfise Keko është mjaft e ngarkuar, edhe se ajo nuk jeton fizikisht prej 12 vitesh. E mësuar me këtë ngarkesë që në gjallje, në kohën kur krijoi filmat e saj, ajo vazhdon edhe sot pas ikjes nga kjo jetë të mos lodhet duke udhëtuar, prezantuar dhe promovuar kinemanë shqiptare dhe vlerat e saj. Londër, Belfast, Glasgow, Edinburg, Cambridge, Washington DC, New York, Hartford, Çikago, Rochester, Paris, Jerusalem, Tel Aviv, Haifa, Zagreb, Copenhagen. Për kritikët e kinemtogarfisë tashmë është e qartë dhe asgjë nuk ndodh rastësisht. “Është individualiteti artistik i regjisores Xhanfise Keko ai që e ka risjellë në vëmendjen e studiuesve, kritikëve, regjisorëve e producentëve të filmit në botë, regjisoren e kinemasë shqiptare të periudhës para viteve ’90”, thuhet për regjisoren.

Institucionet e kinemasë mirëpresin filmat

 Janë disa dokumentarë që kanë ndaluar në krijimtarinë e saj dhe zgjidhjet artistike të regjisores Xhanfise Keko. Janë disa studime dhe shumë shkrime nga autorë me kombësi të ndryshme, botuar në revistat më prestigjioze të kinemasë botërore të cilat ndihmuan në ndërkombëtarizimin e regjisores më të njohur të filmit për fëmijë në Shqipëri, dhe një ndër personalitetet më të spikatura të kinemasë shqiptare që nga krijimi. Të njëjtën gjë duhet të themi edhe për institucionet e rëndësishme të kinemasë në botë të cilat i hapën dyert filmave të regjisores shqiptare. British Film Institute – BFI (Londër – Britani e Madhe), George Eastman Museum (Rochester – USA), Cinemateka (Tel Aviv, Jerusalem, Haifa – Israel), Danish Film Institute – DFI (Copenhagen – Danimarkë), janë vetëm disa nga institucionet ku janë shfaqur filmat “Tomka dhe shokët e tij”, “Kur xhirohej një film”, “Mimoza llastica” e “Qyteti më i ri në botë”.  Por shumë shpejt publiku i huaj, falë remasterizimit dhe dixhitalizimit do ketë rastin të shohë edhe filmat “Beni ecën vetë” e “Taulanti kërkon një motër”, por edhe ndonjë film tjetër të kësaj autore. E gjitha kjo, falë angazhimit të kompanisë filmike SKA- NDAL, përkushtimit të distributorit Genc Përmeti dhe kontributit të dashamirësve të shumtë të kinemasë dhe autores shqiptare.  

Katriel Schory, drejtor i Qendrës Kinematografike, Izrael 

Kam parë disa prej filmave të regjisores Xhanfise Keko dhe kam vënë re se ajo ka një këndvështrim shumë të qartë. Ndërkohë që, gjëja që më preku më shumë pasi pashë filmat e saj, ishte se gjithçka vinte shumë natyrshëm. Le të themi rrjedh bashkë me ngjarjen, nuk e ndien që po sheh një film dhe se ata janë aktorë të filmit. Të duket sikur ata fëmijë po jetojnë jetën e tyre, bëjnë atë që do të bënin përditë. Dhe kjo është diçka tepër origjinale dhe e vërtetë. Mbi të gjitha, më duket shumë profesionale ajo që kjo regjisore arrin të sjellë në ekran.

 Bruce Williams, kritik filmi (SHBA)

Unë nuk jam nga ata që fiksohem pas regjisorëve, me fjalë të tjera nuk kam interes të takohem me regjisorë Hollivudi, por Xhanfise Keko ka qenë e vetmja regjisore në Shqipëri që doja ta njihja nga afër. Ajo ka qenë një regjisore e jashtëzakonshme dhe më e njohura e Kinostudios dhe po ashtu filmat e saj janë shumë të veçantë. Në fund, mendoj se janë shumë të paktë regjisorët në botë që arrijnë të punojnë si ajo me aktorët fëmijë. Prandaj filmat e saj kanë rrjedhshmëri, janë të veçantë dhe lënë mënjanë ideologjinë e rëndë të asaj kohe.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here