Ekspozita “EUnderground”, për lëvizjen kulturore në vendet e ish bllokut Sovjetik

0
471

Ekspozita “EUnderground” synon të sjell pranë qytetarëve një çështje shumë të veçantë e cila sipas organizatorëve ka marr shumë pak vëmendje. Projekti nxjerr në pah një pjesë të fshehtë dhe ende pak të njohur të trashëgimisë kulturore të ish-vendeve socialiste: fusha e kulturës së nëndheshme gjatë viteve 1948-‘89. Kuratori i ekspozitës Andi Tepelena shprehet se projektit i referohet lëvizjeve kulturore alternative të asaj periudhe, si mënyra shumë të rëndësishme të opozitës kulturore të shoqërisë civile në Bllokun Lindor gjatë Luftës së Ftohtë. Ekspozita në qendrën TEN është e ndarë në disa pjesë, letërsia dhe disidenca artistike në Shqipërinë komuniste, si dhe artistë të “Underground” muzikor të viteve 70′- 80′. Kuratori Tepelena tregon se ekspozita bëhet me rastin e 40- vjetorit të rënies së murit të Berlinit. “Ky ka qenë motivi kryesor i hapjes së kësaj ekspozite. Qëllimi kryesor ishte për një panoramë të lëvizjeve kulturore alternative në vendet e Lindjes në vendet e ish bllokut Sovjetik, ku futet dhe Shqipëria, ku janë marrë zhanre të ndryshme që përfaqësohen nga artet skenike, muzika, letërsia, filmi dhe të tjera. Ka qenë ajo kulturë që zhvillohej në ambiente underground, që quhet kulturë e nëndheshme, që dilte dhe kundër censurës mbi të gjitha. Pra është prezantuar një kulturë që është realizuar nën censurën komuniste” tregon Tepelena. Ekspozita mes të tjerave është me biografi të artistëve, postera, fotografi nga autorë shqiptarë dhe të ish vendeve të tjera komuniste. Kuratori Andi Tepelena tregon se për ekspozitën janë marrë autorë të ndryshëm të huaj, por mes emrave nga Shqipëria janë Fatos Lubonja, Maks Velo, Mihallaq Luarasi, Justina Aliaj, si dhe grupi i parë i rrokut shqiptar, që janë trajtuar me krijimtarinë e tyre në këtë projekt. “Ekspozita është e ndarë në disa seksione, ku është ajo që ndodhur në Poloni, në Çeki, Hungari, Rumani dhe Shqipëri. Në rrafshin e letërsisë është përfaqësuar me Fatos Lubonjën. Në artet pamore kemi Maks Velon, në fushën e arteve skenike kemi Mihallaq Luarasin dhe Justina Aliaj. Por është marr dhe një grup që ka qenë grupi i parë rrok shqiptar “Matura ‘72”, ku kanë qenë Vangjel Toçe, Kujtim Spahiu, etj. Ishin artistë jo detyrimisht ishin disidentë, por luanin pjesë me frymëzim nga perëndimi. Kryesisht kjo është pas festivalit të 11, që filloi dhe censura, atëherë e trajtuam si fenomen pas këtij festivali”, vijon të pohojë Tepelena.

Ekspozita edhe në vende të tjera

Kuratori Andi Tepelena tregon se ky projekt është mbështetur nga programi “Europa për qytetarët”, program kulturor i BE. Ekspozita mbyllet me datë 30 të këtij muaji, por kuratori Andi Tepelena shprehet se pas Shqipërisë do të jetë dhe në shtete e tjera. “Ekspozita do të vijojë dhe në vendet e tjera, por më 19 shtator do të organizohet festivali i censurës në Budapest, Hungari. Aty do të takohen artistë të viteve ‘60-’70, që kanë qenë nën censurën komuniste me artistë të brezit të ri, pra do kemi dhe ballafaqim projektesh”, vijon të tregojë kuratori Andi Tepelena. “EUnderground” zhvillohet për të përkujtuar artistët e shtypur dhe lëvizjet kulturore nga Shqipëria dhe ish vendet e Bllokut Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Fati tragjik i artistëve që u internuan nga kultura komuniste “zyrtare” për shkak të pikëpamjeve të tyre politike, stilet artistike apo subjekteve të tyre. Edhe pse materialet janë tepër të harruara në kohë, kultivimi i disiplinave kulturore artistike kanë qenë të pasura, mund të përmendim grupin e parë të rrokut “Matura ‘72” , apo autorë të letërsisë si Petro Marko, Ismail Kadare, piktorët Edison Gjergo dhe Ali Oseku, shkrimtari Zydi Morava, poetët Jorgo Bllaci, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Daut Gumeni, Uran Kostreci, regjisori dhe dramaturgu, Kujtim Spahivogli, shkrimtare si Musine Kokalari, etj, që bënë thyerjen e të zakonshmes, që njerëzit ishin mësuar të dëgjonin veç këngë apo poezi për idealet e luftës.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here