Parlamenti ka mbyllur dje paketën e ligjeve të reformës në drejtësi. Që në vitin 2016 nisi një proces i rëndësishëm me qëllim ndryshimin e Kushtetutës dhe të rreth 27 ligjeve të sistemit të drejtësisë. Pas gati 3 vitesh, gjithçka ka përfunduar. Dje Komisioni i Ligjeve miratoi ligjin për shërbimin përmbarimor privat, i fundit që kishte mbetur pa u shqyrtuar. Tani e gjithë paketa është mbyllur dhe pas miratimit të enjten në seancë plenare, gjithçka quhet e përfunduar. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja reagoi për këtë çështje, duke sulmuar indirekt dhe opozitën. “Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë u dha fund miratimit të të gjitha projektligjeve të reformës në drejtësi, me kalimin e ligjit “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”. Rrëmuja e rrugës, mjegulla e fjalëve të përçarta, të pak njerëzve (të cilët mbeten edhe më pak çdo ditë që kalon) nuk mund të eklipsojë punën e madhe për të çuar përpara, pavarësisht gjithë pengesave, Reformën në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Askush nuk mund të ndalë dot dëshirat dhe kërkesat e shqiptarëve për një shtet ligjor dhe për drejtësinë që u mungon prej dekadash”, tha Manja. Më tej ai vlerësoi dhe rolin e ndërkombëtarëve, duke thënë se falë tyre u realizua një proces kaq i rëndësishëm. “Nuk mund të shpreh veç krenarinë dhe empatinë për çdo qelizë të mazhorancës sime socialiste dhe progresiste në Kuvendin e Shqipërisë 2013-2019, që çdo votë të besuar nga shqiptarët, e ktheu në mbështetje të fortë e të pakompromis deri në fund në zbatimin e plot të reformës në drejtësi. Një falënderim i veçantë dhe plot mirënjohje për partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, për bashkëpunimin thelbësor në këtë reformë ekzistenciale për vendin tonë dhe rrugën drejt integrimit. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë po kaq i fortë, mirëkuptues dhe frutdhënës edhe në të ardhmen, në zbatimin e plotë të reformës”, tha Manja.
Xhafaj në konflikt interesi
Ligji për shërbimin përmbarimor privat tregoi se ka filluar të zbatohet dhe Kodi i Sjelljes, i miratuar pak kohë më parë. Në këtë kod është përcaktuar qartë se deputetët nuk duhet të votojnë ligje, me të cilët janë në konflikt interesi. “Deputeti, kur ndodhet në një situatë konflikti interesi, deklaron gojarisht në fillim të seancës plenare ose të mbledhjes së komisionit apo organeve të tjera parlamentare. Deklarimi regjistrohet në procesverbalin e mbledhjes përkatëse. Kopje e procesverbalit i dorëzohet shërbimit përgjegjës për deputetët. Kur një deputet, gjatë procesit ligjvënës, është subjekt i një interesi privat dhe mund të ndikohet nga çështja në shqyrtim, bën deklaratë me shkrim dhe e dorëzon pranë shërbimit përgjegjës për deputetët. Deklarata me shkrim e deputetit për konfliktin e interesit, rast pas rasti, publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit në internet. Deputeti nuk ka të drejtë të votojë për një projektligj ose dokument tjetër politik kur ka konflikt interesi dhe as të promovojë projektligje ose interesa për shpërblim/pagesë apo për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta”, thuhet në nenin 13. Për shkak të këtij përcaktimi, deputeti dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e komisionit dhe nuk do të bëhet pjesë e votimit, pasi është në konflikt interesi. Gazeta ka mësuar se ai ka dorëzuar një deklaratë ku shprehet se një familjar i tij është pjesë e shërbimit përmbarimor privat dhe ai nuk mund të bëhet pjesë e diskutimeve apo votimit të ligjit.
Kliti Topalli