Grabitja e Rinasit, vihet në pranga tek Shkëmbi i Kavajës “daja” nga Kosova, zbardhet dosja hetimore

0
408

Shkon në gjashtë numri i të arrestuarve të grabitjes së 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit. Në prangat e policisë si autor i dyshuar i grabitjes ka përfunduar Ragip Hajdini 50 vjeç nga Kosova. Ky shtetas u ndalua gjatë një operacioni sekret të ndërmarrë nga policia mesditën e djeshme. Kosovari u arrestua në një banesë në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Identifikimi i tij u bë nga dëshmitari i drejtësisë Alkond Bengasi, i cili e njihte me nofkën “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e grabitjes më 9 prill në aeroportin e Rinasit, policia informon se është kapur Ragip Hajdini, 50 vjeç, lindur e banues në Pejë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje. Ai do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”, sqaroi Policia e Shtetit pas arrestimit. Ragip Hajdini nuk është një emër i panjohur, pasi ai është me precedent penal në Kosovë. Shtetasi kosovar i arrestuar këtë të premte në qytetin e Kavajës, si i dyshuari i 6 i grabitjes së bujshme të 9 prillit në Rinas, rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës. Sipas Prokurorisë së “Eulex”-it, grabitja e sasisë së arit është kryer përgjatë 3 muajve, nga shkurti deri në prill të vitit 2012. Në fakt, të grabisësh një sasi të tillë nuk është ndonjë habi, por fakti që ajo është grabitur brenda ambienteve policore e bëri ngjarjen të bujshme asokohe në mediet kosovare. Ari i vjedhur dyshohet të jetë nxjerrë prej ambienteve policore nga një toger, e pas kësaj përfundoi në një argjendari për t’u shkrirë dhe për t’u nisur drejt Turqisë, përmes pikës kufitare të Vermicës. Për ngjarjen në fjalë pati 6 të dyshuar nën hetim, prej të cilëve dy policë. Vjedhja e arit në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Pejës u dyshua madje si një “mbulesë” për shkatërrimin e qindra provave për krime të rënda, kryesisht vrasje në qytetin e Pejës.

Dosja dhe përgjimet

Prokuroria për Krime të Rënda është duke zhvilluar hetime intensive dhe duke mbledhur ende prova që vlejnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Deri tani dosja hetimore për këtë ngjarje përmban 83 faqe ku ndodhen dëshmi, përgjime dhe prova shkencore që do ndihmojnë grupin. Gazeta “Sot”, ka siguruar një pjesë të kësaj dosjeje ku mes përgjimeve ka dhe dëshminë e Alkond Bengasit, person i cili tashmë ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Përsa i përket dinamikës së ngjarjes së 9 prillit në dosjen hetimore thuhet se ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve, ndjekja ka vijuar dhe rrugës u gjet një trup i pajetë, i cili i përket Admir Muratajt. Gjatë kqyrjes atij iu gjet një granat dore, dy granata tymuese, një pistoletë, gërshërë dhe aparat për bllokimin e valëve. Më tej thuhet se u gjet një gjurmë e cila thuhet se është e Bengasit, i cili ndodhet aktualisht nën arrest. Ai ka pranuar para hetuesve se e njehe Klement Çalën sepse e ka kushëri. Dëshmitari Bengasi ka treguar se para 5 muajsh kushëriri i tij, Eldi Çala, i kishte thënë që të shkonte në Fushë Krujë për të marrë një furgon, por ai nuk kishte shkuar për arsye shëndetësore. Ndërsa në vendimin e zbardhur nuk përcaktohet shuma e parave të grabitura, pasi banka nuk ka sjellë përgjigjen mbi shumë e parave të grabitura. Grupi grabitësve është vënë në përgjim ambiental si para ashtu edhe pas grabitjes nga përgjimet ambientale, dëgjohet se babai i Klement Çalës e para grabitjes i ka kërkuar atij që të ketë kujdes pasi policia mund ti ketë vënë përgjues. Pas arrestimit të disa prej autorëve të dyshuar policia vuri në përgjim ambiental ato, ku kanë shprehur shqetësim mes tyre duke u shprehur “çfarë tersi, e dija që do përfundonte kështu”. Ndërsa Rendaldo Sula pyet të arrestuarin Saimir Çela nëse a e kanë marrë vesh ata.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here