Në teatrin e Metropolit vijnë për publikun tre shfaqjet e fundit të dramës “Natën, Ma” me regji nga Ema Andrea. Shfaqjet do të jenë në skenë mbrëmjet e datave 3, 4 dhe 5 të këtij muaji. “Të nderuar, produksioni i teatrit Metropol “Natën, Ma” nën mjeshtërinë e regjisë së Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të aktoreve Ilire Vinca dhe Egla Ceno, ngjitet në skenë për 3shfaqjet e fundit”, shkruan teatri për këtë vepër, ndërsa ka publikuar dhe foto nga shfaqja. Vepra është shkruar nga Masha Norman dhe deri tani me regji nga Ema Andrea shfaqja është pritur ngrohtë dhe me duartrokitje nga publiku. Vepra tregon fatin e një nëne, Thelma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe.
Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thotë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta. Në role interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno, por është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar Pulitzier dhe është nominuar për çmime të rëndësishme. Kjo vepër ka bërë bashkë një kastë artisësh të njohur, ku muzika është nga Bojken Lako dhe muzikantë në vepër janë Endi Aron Çekani dhe Rei Kondakçi. Skenografia e veprës është realizuar nga Enio Shehi dhe identiteti vizual nga Vincenzo Giannattasio.
Marsha Norman lindi më 21 shtator 1947. Ajo është e njohur si dramaturge amerikane, skenariste dhe shkrimtare, si dhe fituese e çmimit Pulitzer më 1983. Ajo shkroi librin “The Secret Garden”, për të cilën ajo fitoi çmimin Tony dhe çmimin “Drama Desk” për librin e muzikës dhe Shoes Red, si dhe libret për muzikën Color Purple. Marsha Norman që fëmijë nisi të luante në piano. Më vonë ajo filloi të merrte pjesë në shfaqjet e aktoreve të reja të Louisville. Ajo mori një diplomë bachelor nga Agnes Scott College dhe një diplomë master nga Universiteti i Louisville. Ndërsa në krijimtarinë e saj ajo është e njohur dhe për vepra të tjera tashmë në skenën shqiptare kjo autore prezantohet me dramën “Natën Ma”.