Konflikti/ Ministria e Kulturës pranon vendosjen e statujës së Skënderbeut në sheshin “Gjergj Kastrioti”, refuzon Bashkia Lezhë

0
506

Vendosja e statujës së heroit tonë kombëtar në sheshin “Gjergj Kastrioti”, Lezhë, ka sjellë jo pak debate në mbledhjet e KKR. Bashkia Lezhë kërkon që shtatorja e Skënderbeut të vendoset në pjesën veriore të sheshit “Gjergj Kastrioti”, ndërsa nga Ministria e Kulturës kërkohet një propozim i ri për vendosjen e veprës. Janë zhvilluar dy mbledhje deri tani të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, ku kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të bashkisë, por deri tani vendndodhja e shtatores vepër e skulptorit Ardian Pepa nuk ka vendim. Specialist i trashëgimisë në Bashkinë e Lezhës Paulin Zefi shprehet se me datë 19. 3. 2019 u zhvillua mbledhja e dytë në KKR, ku në cilësinë e kryetares së KKR, ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. “Normalisht që të pranishmit na kërkuan që të sjellim një “Variant B”, gjë të cilën ma kishin kërkuar vazhdimisht edhe gjatë komunikimeve nëpërmjet celularit, por pas konsultimeve me kryetarin e Bashkisë Lezhë z. Fran Frrokaj, ne as nuk kemi paraqitur dhe as nuk do të paraqesim një “Variant B” për vendosjen e statujës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, sepse pjesa veriore e sheshit “Gjergj Kastrioti” është dhe mbetet vendi i vetëm dhe më i përsosur për ta hijeshuar Lezhën me këtë monument madhështor”, shkruan specialisti Zefi në lidhje me këtë përplasje që po vijon prej disa javësh. Specialisti Zefi shprehet në reagimin e tij se justifikimi i ministrisë nuk qëndron për moslejimin e veprës. “Justifikimi për të mos lejuar të vendoset vepra, me të vetmin argument “non sens”, që kjo është brenda “Zonës A” dhe i bllokon pamjen Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/përmendores së vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, as nuk qëndron dhe as nuk i bën nder askujt që e mbron këtë lloj pretendimi. Duke qenë se 1/3 e qytetit të Lezhës shtrihet brenda hapësirës integrale të Zonës A dhe Zonës B të Parkut Arkeologjik Lezhë, dhe sidomos kur të “3 Variantet e propozuara”, ose më mirë të thuash, “të diktuara” të KKR, janë në zemër të Zonës A; atëherë pse vetëm në pjesën veriore të sheshit qenka kaq problem vendosja e statujës? shprehet ai. Diskutimet deri tani në mbledhjet e KKR nuk kanë munguar dhe ndërsa pritet mbledhja e radhës për këtë problem drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani shprehet se janë në pritje të një propozimi të ri nga Bashkia e Lezhës për veprën. “Faktikisht është kaluar në Këshill Kombëtar të Restaurimeve projekti dhe aty është diskutuar çështja e zhvendosjes së vendndodhjes së veprës. Ne presim të na vijë propozim i ri nga Bashkia. Ne jemi në pritje të propozimit të tyre”, shprehet Dollani në një reagim të saj.

 Mbledhja e parë e KKR

Më 12 mars është zhvilluar mbledhja e parë e KKR ku është diskutuar mbi projekt propozimin e Bashkisë së Lezhës në IMK, pranë Ministrisë së Kulturës. Specialisti Zefi shkruan se në këtë mbledhje kërkesa për ta vendosur statujën e Skënderbeut, në pjesën veriore të sheshit “Gjergj Kastrioti”, u hodh poshtë nga pjesa më e madhe e anëtarëve të KKR dhe përfaqësuesit e tjerë të Ministrisë së Kulturës me argumentin se aty është zona A e parkut arkeologjik të Lezhës. “Ata, nga ana e tyre kërkuan që ne ta vendosim statujën në hyrje të qytetit të Lezhës, pra te kryqëzimi i autostradës Tiranë-Shkodër me rrugën Lezhë-Shëngjin! Kulmi i Groteskut! Pas ndërhyrjes nga ana ime u ndez edhe debati në këtë mbledhje, sepse me këtë lloj “sugjerimi” i binte të talleshin me figurën e heroit tonë kombëtar dhe të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës së bashku me anëtarët e KKR “miratuan në heshtje” vendosjen e statujës “diku në sheshin Gjergj Kastrioti”, por kurrsesi aty ku e kërkojmë ne, si Bashki e Lezhës”, vijon në reagimin e tij specialisti Paulin Zefi. Sipas tij po ashtu, përveç IMK, as ASHA, s’ka pse të kundërshtojë. Por për specialistin Zefi institucioni punon me dy standarde. “Ne, Bashkia Lezhë, nuk do të negociojmë për vendin dhe kjo as që bëhet fjalë. Ndërkohë që po presim vendimin zyrtar që do të merret në mbledhjen e rradhës së KKR në IMK, deri atëherë “Statuja e Heroit tonë Kombëtar” nuk do të çlirohet prej “pengmarrjes nga Ministria e Kulturës”, shkruan ai. Statuja Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me lartësi prej 5.62 metra e punuar nga skulptori Ardian Pepa, është financuar nga Bashkia Lezhë dhe donatorët e ndryshëm.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here