Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po shpartallon drejtësinë shqiptare. Në një kohë kur është mbushur një vit nga nisja e punës me seancat dëgjimore për subjektet e rivlerësimit, nga një bilanc i thjeshtë arrihet në përfundimin se gjykatat dhe prokuroritë po spastrohen njëra pas tjetrës nga të korruptuarit. Ajo që bie në sy nga puna e deritanishme është fakti se korrupsioni në organet e drejtësisë shqiptare nis që nga koka. Deri tani KPK ka shkarkuar nga detyra plot 17 krerë gjykatash dhe prokurorish. Të gjithë emrat e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë kanë patur probleme me pasurinë, ndërsa ky numër deri diku i lartë i të krerëve të shkarkuar tregon se në çfarë niveli kanë qenë gjykatat dhe prokuroritë tona. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi valën e shkarkimeve në radhët e kryetarëve të gjykatave me Entela Priftin. Në muajin tetor trupa gjykuese vendosi ta largojë nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me pasurinë. Shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Korçë u pasua nga shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Vlorë, Alma Liçaj, pasuria e së cilës ishte po ashtu e pajustifikuar. Problemet me pasurinë rrezikuan karrierën edhe të kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta dhe të Gjykatës së Beratit, Agron Vavla. I shkarkuar është edhe kryegjyqtari i Pukës, Izet Kadana apo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedjes. Në listë bëjnë pjesë edhe kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, si edhe drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami. Të shkarkuar janë edhe Petrit Çeno, kryetar i Gjykatës së Apelit Civil Durrës; Dritan Seci, kryetar i Gjykatës së Tropojës dhe Pashk Gjaci, kryetar i Gjykatës së Përmetit. Mes të shkarkuarve është edhe emri i Dritan Rreshkës, i cili para se të merrte vendimin negativ KPK, drejtonte Prokurorinë e Tiranës.
Shkarkohen kryeprokurorët e Lushnjes dhe Fierit
Kryeprokurorëve të përjashtuar nga drejtësia iu bashkuan dje edhe Fatmir Lushi, kryetar i Prokurorisë së Lushnjes dhe Çlirim Shahini, kryetar i Prokurorisë së Fierit, duke e çuar kështu në 17 numrin e të shkarkuarve. Sipas KPK, prokurori Shahini kishte probleme me justifikimin e burimeve për ndërtimin e një shtëpie dy-katëshe në Sarandë si dhe mosdeklarimin e një huaje prej 2.7 milionë lekësh. Ai kishte probleme edhe me integritetin e figurës sepse kishte përdorur makinën e një personi të dënuar në Greqi. Edhe kryeprokurori Fatmir Lushi, i shkarkuar dje nga KPK, nuk arriti të justifikojë blerjen e një shtëpie në Elbasan, ndërsa me probleme rezultoi edhe me figurën sepse në një rast ka lehtësuar një të pandehur gjatë gjykimit. Pra, deri tani kemi 17 kryetarë gjykatash dhe prokurorish të shkarkuar, çka tregon edhe një herë nivelin e korrupsionit në drejtësinë shqiptare. Fakti që korrupsioni ka mbërritur deri tek “kokat”, tregon se edhe vartësit e tyre janë të zhytur në afera dhe së shpejti do të përballen me KPK. Ky numër i lartë i krerëve të shkarkuar tregon se procesi i vetingut po funksionon dhe drejtësia po spastrohet, pavarësisht akuzave të politikës. Opozita ka sulmuar vazhdimisht procesin e vetingut, duke e cilësuar si të kapur politikisht. Por vendimet e deritanishme të KPK për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë një sinjal për të gjithë politikanët se ky është një proces i pandikuar politikisht dhe se do të vijojë me goditjet në radhët e drejtësisë. Sipas burimeve të gazetës, janë përfaqësuesit e ONM ata që vazhdimisht shtyjnë komisionerët e vetingut drejt vendimeve të duhura dhe nuk i lejojnë që të ketë asnjë shkelje apo asnjë favor. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të mbajnë të “hekurt” dhe të pandikuar procesin e vetingut dhe reformën në drejtësi, duke iu çuar një mesazh PD-PS-LSI se kushdo që është i përfshirë në afera do të ndëshkohet dhe se me ngritjen e SPAK lufta antikorrupsion do të jetë e pandalshme.
Mimoza Ibra












































