Tjetërsimi i 36 ha tokë në Spille, prokuroria e Kavajës kërkon 28 vite burg për 9 ish zyrtarët e hipotekës

0
464

Prokuroria e Kavajës ka kërkuar 28 vite burg për 9 ish punonjësit e hipotekës së këtij qyteti, të cilët akuzohen për tjetërsimin e 36 ha tokë në zonën e Spillesë. Përveç dënimit të të pandehurve, gjatë leximit të pretencës organi i akuzës së Kavajës kërkoi nga gjykata që të urdhërojë fshirjen e pronësive në hipoteke, si dhe kalimin e këtyre sipërfaqeve tokësore sërish me pronar shtetin. Në këtë mënyrë organi i akuzës së Kavajës kërkoi për ish drejtorin e hipotekës Seit Cikalleshi 4 vjet burgim, gjithashtu për Ilir Kaja nga prokuroria u kërkua 5 vjet burgim; për Asim Arkaxhiu 3 vjet burgim; Andi Gjeçi 3 vjet e 6 muaj burgim; Dritan Kazazi 3 vjet burgim; Nezir Leçini 3 vjet burgim; Agron Xhelezi 3 vjet burgim; Aldo Kila 2 vjet e 6 muaj burgim dhe Aida Gjoci 1 vit burg. Pas hetimeve dy vjeçare prokuroria në nëntor të vitit të kaluar, ku prokuroria kërkoi arrestimin e 11 personave, ku për gjykim shkuan 9 të pandehurit e lartpërmendur. Gjykatësja Diamela Goxha gjatë vlerësimit paraprak vendosi që të pushonte në tetor akuzat ndaj biznesmenit Idlir Karkini, i akuzuar për pastrim parash dhe kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Hetimet për tjetërsimin e 36 ha tokë në Spille nisën në pranverën e vitit 2017, kur Komanda e Forcës Ajrore dhe komisariati i policisë Rrogozhinë bënë kallëzim penal për tjetërsimin e pronësisë së poligonit të qitjes në Rreth-Greth dhe tokave në bregdet.

Skema e mashtrimit

Falsifikimet e dokumenteve të pronave në Kavajë dyshohet se kanë nisur shumë vite më parë, ku komisionet e Aktit të Marrjes së Pronave janë lënë të bardha, pa u shënuar asgjë. Më pas këto fletë të bardha, por me vula u janë shitur disa personave. Ndërkohë që në dokumente janë përdorur vula të viteve të fundit, në një kohë kur ndarja e pronave sipas ligjit 7501 është bërë në fillim të viteve 90. Pasi plotësoheshin AMT, vendoseshin koordinatat të gjera, përfshirë pronat publike duke marrë në pronësi edhe toka jo bujqësore. Më pas tokat kaloheshin ne emër të personave që ishin në emigrim dhe falsifikoheshin firmat sikur ketë persona që janë jashtë shtetit i kishin shitur këto toka. Në disa raste tokat janë kaluar në pronësi të fshatarëve dhe më pas këtyre u propozohej që ta shinin tokën duke u dhënë para, shumë herë më pak nga vlera reale. Kjo skemë ka funksionuar në bashkëpunim me hipotekën dhe Këshillin e qarkut, institucionet që bëjnë verifikime e dokumenteve. Abuzimet me pronat janë të shumta në bregdetin tonë. Burime për gazetën “Sot” bëjnë me dije se këto abuzime janë bërë pothuajse në gjithë vijën bregdetare të Adriatikut. Të njëjtat burime saktësojnë se e gjithë kjo vijë bregdetare është nën hetim. Mësohet se hetimet vazhdojnë për shumë ish-kryetarë komunash, juristë, punonjës të hipotekave, ALUIZNI-t, bashkive të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë skemë abuzimesh. Gjithashtu mësohet se janë shumë zyrtarë që po hetohen për pastrim parash.

Shumë dosje për tjetërsimin e pronave

Formula e tjetërsimit të bregdetit dhe pyjeve pranë tij duke falsifikuar dokumente që e bëjnë atë tokë bujqësore dhe më pas duke e ndarë e fiktivisht të fshatarë të zonës bazuar në ligjin 7501 e më pas transferuar te të tretë përmes shitblerjeve po fiktive, është mjaft e njohur në vend. Qindra hektarë tokë mendohet se janë tjetërsuar në këtë formë nga Shkodra në Vlorë. Deri tani prokuroria ka hapur disa procese, përfshi një të filluar së fundmi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pas arrestimit të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe disa të afërmve e bashkëpunëtorëve të tij, që akuzohen se kishin krijuar grup të strukturuar kriminal për përvetësimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Lezhë. Po në Lezhë prokuroria kërkon gjykimin e kryebashkiakut të Partisë Demokratike Fran Frrokaj dhe disa zyrtarëve të tjerë lokalë. Çështje të ngjashme janë nisur në Shkodër dhe Vlorë ku prokurori pretendon se janë tjetërsuar qindra hektarë në Karaburun, Nartë, Zvërnec e zona të tjera të lakmuara bregdetare.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here