Qeveria ka vendosur të kompensojë financiarisht të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara. Ky vendim është marrë dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas VKM, numri i përfitueseve është 681. “Këshilli i Ministrave: vendosi Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 681 parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në vendim. Më tej specifikohen të gjitha qarqet që preken nga kompensimi financiar për shkak të ndërtimeve të legalizuara. “Për Qarkun Berat numri i parcelave ndërtimore është 27; Për Qarkun Elbasan numri i parcelave ndërtimore është 179; Për Qarkun Tiranë numri i parcelave ndërtimore është 142; Për Qarkun Fier numri i parcelave ndërtimore është 78; Për Qarkun Shkodër numri i parcelave ndërtimore është 11; Për Qarkun Vlorë numri i parcelave ndërtimore është 131; Për Qarkun Gjirokastër numri i parcelave ndërtimore është 46; Për Qarkun Lezhë numri i parcelave ndërtimore është 4; Për Qarkun Kukës numri i parcelave ndërtimore është 26; Për Qarkun Korçë numri i parcelave ndërtimore është 21; Për Qarkun Durrës numri i parcelave ndërtimore është 13”, thuhet në VKM. Aty po ashtu sqarohet se masa e kompensimit financiar është afro 12 mijë lekë. “Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas ZVRPP-ve, është 11 866,63 lekë dhe vlera totale e kompensimit financiar është 49 033 353,21 lekë. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi”, përfundon vendimi i qeverisë.
































