Punimet në pazarin e Gjirokastrës që kanë sjellë heqjen e kalldrëmit sipas specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore çdo ndërhyrje duhet të zbatohet sipas kritereve në qendrat historike. Punimet siç është pohuar janë për shkak të kanalizimeve, por për specialistët ajo që duhet të kenë në vëmendje institucionet përgjegjëse të trashëgimisë është që kalldrëmi i hequr të rivendoset sërish si ka qenë, pa dëmtime. Akademiku Emin Riza hartues i dosjes së Gjirokastrës në UNESCO shprehet se për çdo ndërhyrje duhet që leja të merret nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. “Ai nuk është kalldrëmi origjinal, dhe është bërë në vitet ‘70. Por për çdo punim aty duhet të merrnin leje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Nëse kanë marrë leje për çfarë do që ndodh përgjegjësinë e ka IMK. Unë me sa jam në dijeni do hiqet kalldrëmi dhe do bëhet sërish. Kjo sepse aty do bëhen kanalizime, pasi të vihen tubat më pas do të mbulohet sërish siç ishte kalldrëmi. Puna është që kur të rindërtohet, të bëhet me specialistët e mirë dhe me sa më cilësi”, pohon akademiku Riza. Duke folur për Gjirokastrën akademiku Emin Riza bën apel që çdo gjë duhet të kryhet duke zbatuar kriteret e restaurimit. “Kalldrëmi aty është i viteve ’70, por më parë ka qenë me gurë siç bëhen kalldrëmet, nuk kanë qenë gurët e bardhë, madje unë atë kohë kam insistuar që mos të bëheshin ashtu, por u bë. IMK duhet që të ketë firmosur ndërhyrjen. Kanalet ju thashë duhen bërë patjetër se do të kalojë tubi atje dhe ka rëndësi për qytetin. Por problemi qëndron të vëmendja që duhet nga institucionet. Qendra historike duhet ruajtur. Të ketë kujdes nga ndërhyrjet e gabuara, sepse niveli profesional i atyre specialistëve të ateliesë nuk është i duhuri. E dyta, si pyet njeri sepse e di kryetari i bashkisë dhe të tjerë, pra janë që i dinë të gjitha”, vijon akademiku Riza. Për arkitektin restaurator Kliti Kallamata në çdo ndërhyrje duhet të zbatohen kriteret, nëse kjo nuk bëhet ai risjell në vëmendje problemet që kanë dalë në Korçë. “Në Gjirokastër kanë hequr kalldrëmin e viteve ‘60-‘70, kurse në Korçë shkulën e zhdukën krejtësisht kalldrëmin karakteristik 300 vjeçar dhe e zëvendësuan me një palo kalldrëm, që pa kaluar as 4-5 dimra është bërë copë-copë. Do të ndodhë e njëjta gjë me Gjirokastrën? Të shohim. Varet se çfarë kanë vendosur ata me projektin që po zbatohet. Por ministria duhet të gjejë strukturën se si ka qenë dhe ta ribëjë në bazë të asaj. Kritere ka restaurimi, nëse duan ta quajnë restaurim”, shprehet Kallamata.
Të ruhet materiali autentik
Arkitekti dhe restauratori Latif Lazimi që prej vitesh ka qenë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës shprehet se kalldrëmet si element urban i qendrës historike janë monument kulture i kategorisë së parë, dhe çdo dëmtim i tyre konsiderohet dëmtim monumenti. Ai vijon se në këtë rast kalldrëmet duhet të zëvendësohen me të njëjtin gur dhe me të njëjtën ngjyrë, që ka pasur më parë. “Sepse dhe kalldrëmi që kanë hequr nuk ka qenë origjinali, por është zëvendësuar me tjetër gur dhe me motive popullore. Duke u mbështetur në kritere zëvendësimi i kalldrëmit duhet të realizohet me të njëjtin gur dhe formë, dhe me të njëjtën ngjyrë për qenë brenda kritereve të restaurimit”, pohon ai. Sipas specialistit të trashëgimisë kulturore Latif Lazimi në rast se nuk ruhet materiali autentik atëherë kemi shkelje. “Duhet të ruhet materiali autentik me të cilin ka qenë shtruar rruga historikisht dhe jo të zëvendësohet me gur me forma dhe ngjyra të tjera, sepse në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të kritereve të restaurimit në qendrat historike. Po të vihet i njëjti gur në formë dhe në ngjyrë atëherë jemi brenda kritereve, sepse gurët pra rruga dëmtohet në vite dhe duhet ribërë si më sipër. Edhe kur bëhen punime nën rrugë të kanalizimeve duhet të aplikohet i njëjti kriter. Nëse i kanë hequr për të ndryshuar formën e gurit dhe ngjyrën për mendimin tim është shkelje, ndërsa nëse i kanë hequr për punime nën rrugë ose se guri ka qenë i dëmtuar duhet të zbatohet kriteri i mësipërm”, pohon arkitekti Latif Lazimi. Duke folur për punën që bëhej dekada më parë nga IMK ai kujton se monumentet mirëmbaheshin dhe restauroheshin vazhdimisht me specialistë, të cilët kishin shumë vite në drejtoritë rajonale të monumenteve në rrethe të ndryshme të vendit. “Këtyre specialistëve ju duhej një kohë e gjatë për tu specializuar në restaurimin e monumenteve dhe kur vinin nga sektor të tjerë të ndërtimit. Ndërsa sot duhet të bëjnë kurse kualifikim për restaurimin”, tregon arkitekti Latif Lazimi.
Nga Julia Vrapi