Artistët apel Margaritit: Mjaft më me projektin “100 fshatrat”, kthe sytë nga arti dhe teatri, jemi në pikën zero

    0
    359

    Ministria e Kulturës deri tani nuk ka treguar vëmendje për gjendjen që po kalon arti dhe kultura në vend. Sipas artistëve është një situatë që lë për të dëshiruar, ku zëri i tyre nuk dëgjohet. Artistët pohojnë se institucionet e artit sipas tyre janë me probleme, statusi i artistit mungon, buxhetet janë të pakta, por deri tani ministrja e Kulturës Elva Margariti që zëvendësoi në Kumbaron nuk ka bërë asgjë për të treguar punën për këto probleme. Regjisorja Elma Doresi shprehet se ministrja Margariti është në atë post edhe për artin dhe kulturën”. “Ne sado kemi folur dhe flasim e diskutojmë jemi po në pozicion zero me teatrin dhe artin. Ende ne si artistë nuk po dëgjojmë të flitet për teatrin në vend nga ministria. Deri tani nga ministrja e Kulturës Elva Margariti kemi dëgjuar që të flitet për trashëgiminë kulturore, për “100 fshatrat” apo ndonjë muze, por ajo që mua më mungon dhe mendoj që na shqetëson të gjithëve si artistë është fakti që nuk po flitet për teatrin, problemet që janë me jetën artistike”, shprehet regjisorja. Sipas saj askush nuk po pyet më sot se çfarë po ndodh me artin në vend. “Çfarë po ndodh me teatrin. Çfarë po ndodh me projektet artistike në vend? A do të kemi ndonjë ndryshim apo do të vazhdojmë ti qëndrojmë gjithmonë “besnikë” asaj që është bërë deri më sot me teatrin, që do të thotë mungesë e theksuar e buxhetit me artin, problem cilësie artistike etj. Ndoshta duke u marrë dhe me godinë e Teatrit Kombëtar dhe me historikun e saj ne kemi harruar që të merremi dhe me thelbin që është teatri, jeta artistike, që është arti”, vijon regjisorja. Në reagimin e saj Doresi shprehet se ministrja Margariti duhet të diskutojë këto probleme dhe me artistët. “Unë nuk e di çfarë po bën ministrja e re e Kulturës Elva Maragriti për problemet në fushën e artit, por nëse do të kishte kërkuar një takim me artistët do ta kishim marrë vesh, por unë nuk di të jetë bërë gjë ende. Mendoj se duhet të bëjë patjetër takim me komunitetin artistik. Nuk kam asgjë trashëgimisë kulturore dhe fusha të ndryshme që mbulon ministria, por problemi që qëndron sot është teatri, arti, sepse është Ministria e Kulturës. Ne vetëm flasim dhe fjalët tona bien në vesh të shurdhër”, shprehte regjisorja Doresi.

    Jeta artistike dhe politikat

    Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës skenografi i njohur Fatbardh Marku shprehet se në gjendjen që është arti sot shtrohet edhe pyetja a kemi më institucione. “Kemi institucione? Opera ka? Teatër ka? Opera që shkon që shkon me valixhe në duar, janë bërë si teatri i rrugëve. Teatri Kombëtar po nuk ka më Teatër Kombëtar. Teatri Eksperimental kur do gjë eksperimentale. Atëherë çfarë kemi? Mundësitë teknike të teatrit sot janë të shkatërruara, nuk më lejojnë më mua të bëj teatër. Ministria e Kulturës për mua është gjithmonë parakulturore. Ministri primitive fare sepse vetëm me kulturën ajo nuk ka punë”, shprehet skenografi Marku. Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj vijon se ministrja Margariti u emërua në kulmin e konfliktit, por problemi i artit iu intereson të lihet në heshtje. “Kjo e reja vjen sikur nuk e di kush janë problemet në ministrinë ku është drejtuese. Bën të renë në profesion, nuk e nis ku e la pararendësja. Kjo ministre u emërua në kulmin e konflikteve midis pushtetit dhe artit pikërisht për të mos pasur mundësi të vazhdohet e njëjta linjë konflikti apo zgjidhjeje. Kjo me atë që po bën po zhvendos vëmendjen. Problemi i artit iu intereson të lihet në heshtje”, shprehet Thomaraj. Sipas saj ministrja Margariti nuk ka një program të qartë për atë që duhet të bëjë. “Ministrja Margariti është vënë në atë post pa një program të qartë, nuk i është besuar posti i ministres për të zgjidhur problemet e artit, pasi artit nuk i vjen e keqja nga individi e përsëris, por nga politika për shkatërrimin e artit. Jeta artistike në Shqipëri duhet marrë në mbrojtje dhe duhet bërë seriozisht”, pohon regjisorja Eliona Thomaraj. Për baritonin Ylber Gjini problemet janë të shumta, por statusi i artistit është lënë në harresë. “Ministria duhet të kthejë sytë nga artistët, institucionet. Ka shumë probleme, kemi ligji për artin, etj. Por ne na duhet statusi, që deri tani nuk është bërë”, pohon baritoni.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here