Vetingu “i dytë” për Islamajn, KPA gjen probleme me pasurinë e tij, anëtari i Gjykatës së Lartë del me bilanc negativ për 12 vite

0
376

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi dje seancën e radhës dëgjimore për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Më herët, Njësia Ligjore e KPA kishte përgatitur një analizë financiare për pasurinë e Islamajt gjatë periudhës 2003-2016, ndërsa dje u diskutua pikërisht rreth rezultateve të dala nga kjo analizë. Sipas analizës financiare të kryer nga KPA, Edmond Islamaj del me bilanc negativ për 12 vite. Gjatë këtyre viteve KPA ka konstatuar se anëtarit të Gjykatës së Lartë i mungojnë burimet e ligjshme për të justifikuar të ardhurat dhe shpenzimet. Por këto gjetje u kundërshtuan nga Islamaj. Ai mohoi të ketë fshehur pasurinë. Lidhur me udhëtimet e kryera nga ai ose njerëz të lidhur me të, gjyqtari i Lartë deklaroi para trupës gjykuese të KPA se është e vështirë të provohet me dokumentacion çdo detaj. Ai pranoi që ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dy herë për shkak se atje jetojnë vëllai dhe kunati i tij. Islamaj shtoi se ka patur edhe nga ato raste kur udhëtimet me familjen e tij i ka kryer në shtetet fqinje me makinë për të kursyer. Për pjesën e udhëtimeve, Islamaj dorëzoi pranë KPA edhe disa prova të tjera që kishin të bënin me deklarata të të afërmve të tij në shtetet fqinje, të cilët pranonin se gjyqtari i Lartë i ka vizituar dhe është akomoduar pranë tyre. Po ashtu, në lidhje me udhëtimet formale, ai depozitoi deklarata të dy shoqatave që tregonin se udhëtimet janë kryer me ftesë të tyre për punë.

Në lidhje me analizën financiare të kryer nga KPA për Edmond Islamajn u shpreh dje edhe Komisioneri Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij. Për Komisionerin, nga analiza financiare rezulton se Islamaj nuk ka mbuluar dot me burime të ligjshme të ardhurat dhe shpenzimet për 13 nga 14 vite me një diferencë negative 5 milionë lekë. Ai e ndali theksin edhe tek të ardhurat që Islamaj ka siguruar nga shitja e dy makinave. Komisioneri kërkoi që këto të ardhura të mos merren për bazë dhe të konsiderohen fiktive sepse sipas tij, automjetet janë shitur për një çmim më të lartë nga ai që janë blerë, edhe pse janë përdorur për disa vite. Në fund, trupa gjykuese, pasi i kërkoi Islamajt dokumentet shtesë për provat e reja të depozituara, njoftoi shtyrjen e seancës për në datën 26 mars. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here