KPK zbardh skandalet e Inspektoratit të KLD, refuzoi të hetonte anëtarët e Gjykatës së Lartë, ja gjetjet për Marsida Xhaferllarin

0
671

Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë ekzistencës së tij ishte i mbushur me skandale. Si organi kompetent për të hetuar gjyqtarët për shkeljet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, deri më tani ka dalë në pah sesi shumë emra problematikë janë “amnistuar”. Këto probleme dolën edhe dje në dritë gjatë seancës dëgjimore të kryeinspektores së KLD, Marsida Xhaferllari në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Aktualisht kandidate për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë që pritet të ngrihet së shpejti, trupa gjykuese dje renditi disa problematika të hasura gjatë hetimit për kriterin profesional të Xhaferllarit. “Inspektorati zbaton në mënyrë kontradiktore standardet ligjore në vlerësimin e gjyqtarëve. Inspektorati nuk ka kryer vlerësim të plotë të dokumenteve. Në lidhje me një denoncim të publikut, Inspektorati nuk ka zbatuar afatet ligjore”, u shpreh trupa gjykuese. Një tjetër shkelje e konstatuar nga komisionerët e vetingut gjatë hetimit për Marsida Xhaferllarin ishte edhe fakti se ajo kishte refuzuar të hetonte anëtarët e Gjykatës së Lartë. Sipas KPK, Inspektorati ka kryer interpretim kontradiktor në lidhje me kompetencat për të hetuar anëtarët e Gjykatës së Lartë. Për KPK, këta anëtarë duhet të hetoheshin dhe verifikoheshin nga Inspektorati, por Marsida Xhaferllari ka refuzuar. Ajo argumentoi në sallë se për këtë pikë, secili e interpreton ligjin sipas dëshirës. Sipas saj, inspektorët e KLD nuk mund të hetojnë gjyqtarë të një niveli më të lartë se vetja.

Vlerësimet pozitive për gjyqtarët

Një tjetër gjetje e relatuar dje në seancën dëgjimore për Marsida Xhaferllarin ishte edhe fakti se pothuajse për të gjithë subjektet e rivlerësimit Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka dhënë vlerësime pozitive. Për trupën gjykuese, ky vlerësim pozitiv ngre pikëpyetje sepse nuk përputhet me situatën momentale të sistemit të drejtësisë. Trupa gjykuese relatoi edhe se Inspektorati ka zbatuar në mënyrë kontradiktore standardet matëse të punës. Këtë përfundim, Xhaferllari e quajti të pasaktë. “Për të arritur në këtë konkluzion KPK ka hetuar 5 raporte të përgatitura nga Inspektorati. Janë përdorur katër raporte profesionale të hollësishme dhe në asnjë prej tyre nuk ndodh që ne të mos kemi përdorur kriteret matëse për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit. Këto katër akte pastaj vihen përballë për tu ballafaquar me aktin e pestë. Akti i pestë nuk është raport profesional i hartuar, por është mendim shtesë i hartuar nga Inspektorati për KPK dhe kanë një përmbajtje krejt të ndryshme”, tha Marsida Xhaferllari. Në seancë u ngritën pikëpyetje dhe lidhur me organin kompetent që duhet të hartonte raportin për Xhaferllarin si subjekte rivlerësimi. Raporti për kryeinspektoren e KLD është hartuar nga inspektori më i vjetër i Inspektoratit dhe në këtë pikë lindin dyshime se mund të kemi të bëjmë me një konflikt interesi. KPK la të hapur mundësinë që në këtë rast, duke qenë se Xhaferllari ishte kryeinspektore, mund të ketë dhënë urdhër tek inspektori për të përgatitur raportin. Gjatë shkëmbimeve të informacionit midis trupës gjykuese dhe subjektit të rivlerësimit, komisionerët e vetingut kanë pyetur Xhaferllarin se pse raportin për të nuk e ka përgatitur presidenti Ilir Meta, i cili ka qenë edhe kryetar i KLD. Por Xhaferllari sqaroi se vendimin për të përgatitur raportin inspektori më i vjetër në moshë e ka marrë grupi i punës i ngritur pranë Inspektoratit për të dhënë ndihmesë në reformën në drejtësi. Gjithashtu, KPK u shpreh dje se ka paqartësi nëse Marsida Xhaferllari e ka patur statusin e magjistratit gjatë gjithë kohës pasi nga viti 2007 deri në 2013 ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë si nëpunësve civile.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here