Gjyqtarët bllokojnë funksionimin e Kushtetueses, refuzojnë në bllok kandidimin, rihapet gara për zëvendësimin e Dedes dhe Xhoxhajt

0
418

Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka mbetur peng i aplikimeve të gjyqtarëve. Thuajse të gjithë anëtarët e kësaj gjykate, përfshirë edhe kryetarin Bashkim Dedja, u shkarkuan nga procesi i vetingut. Për të zënë vendin e tyre, dje u vunë në lëvizje sërish Presidenca dhe Kuvendi. Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen

nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Për këtë arsye, Kuvendi dhe Presidenca rihapën garën dje për zëvendësimin e Bashkim Dedes dhe Altina Xhoxhajt, të dy të shkarkuar nga vetingu. Gara për të zënë vendin e tyre qe hapur edhe një herë tjetër nga Kuvendi dhe Presidenca. Por gjyqtarët kanë refuzuar të kandidojnë, çka ka detyruar institucionet kompetente të rishpallin vendet vakante. Mungesa e aplikimeve nga ana e gjyqtarëve po vë në rrezik ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila është edhe një ndër gjykatat më të rëndësishme në vend. Pas ngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pritshmëritë ishin që brenda pranverës ky organ të ishte gati. Por gjyqtarët janë bërë pengesë për të bërë edhe një herë funksionale Gjykatën Kushtetuese, duke mos shfaqur interes për të zënë vendin e Dedes dhe Xhoxhajt. Me rihapjen e garës, pritet që situata të ndryshojë dhe organi kushtetues më në fund të ringrihet. Vijimi i punës më pas është në dorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të bëjë renditjen e kandidatëve, dhe midis 3 më të mirëve Presidenca, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë duhet të zgjedhin një. Për disa vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, KED i kanë shkuar emrat e aplikantëve, por akoma nuk ka asnjë lëvizje nga ky organ. Pritet që ky ngërç të zgjidhet me plotësimin e kandidatëve për të gjithë vendet vakante në Kushtetuese dhe më pas KED të vijojë menjëherë procedurat e renditjes së tyre.

Kriteret

Në njoftimet e Kuvendit dhe Presidencës për rihapjen e garës për zëvendësimin e Bashkim Dedes dhe Altina Xhoxhajt janë bërë të ditura edhe të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit. “Kuvendi i Shqipërisë, me qëllim plotësimin e vakancës së plotë të krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të ish-gjyqtarit, z. Bashkim Dedja, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral. Të njëjtat kritere duhen plotësuar edhe nga ata që janë të interesuar të zënë vendin e Altina Xhoxhajt, vakancën e të cilës e shpalli edhe një herë dje Presidenca. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here