Rektorati i Tiranës: Studentët do të marrin bursë edhe për kohën që ishin në protestë, ja kur do likuidohen

0
549

Studentëve të Universitetit të Tiranës duket se po iu buzëqesh fati. Në dhjetor studentët dolën në protesta masive, duke kërkuar nga qeveria që të plotësojë 8 kërkesa, ndërsa kërkuan edhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Ekzekutivi nisi menjëherë bisedimet duke reflektuar dhe plotësuar shumë nga kërkesat e studentëve. Por gjatë kohës që studentët e Tiranës protestonin, ata jo vetëm që humbën orët e mësimit, por u aludua se nuk do të përfitonin edhe bursë. Por duket se kjo ka mbetur vetëm një legjendë urbane, pasi studentët të cilët përfitojnë bursë nga shteti do të paguhen edhe gjatë periudhës të cilën kanë qenë në protestë. Ka qenë rektorati i Universitetit të Tiranës, i cili përmes drejtorit të Drejtorisë Ekonomike të këtij institucioni, Luan Lapraku, që konfirmoi një gjë të tillë. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Lapraku shpjegoi se pagesa e bursave kryhet me dy periudha 3 dhe 6 mujore.

“Bursat paguhen 9 muaj. 3 muaj për vitin e kaluar, dhe 6 muaj për vitin 2019. Tani a do paguhet janari, a do paguhet në muajin korrik, që është shtyrë procesi mësimor, janë vendimet e dekanateve, e rëndësishme është që do paguhen për 6 muaj”, deklaroi ai. Më tej, drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Luan Lapraku bëri me dije se nëpër fakultetet e Tiranës ka nisur mbledhja e dokumentacioneve përkatëse për likuidimin e bursave, ndërsa sipas tij, procesi pritet të përfundojë në fillim të muajit mars. “Deri në 18 shkurt kemi qenë duke pritur dokumentacionin, në datën 20 i kemi kërkuar fakulteteve të na sjellin të gjitha listat, dhe me datë 22 është marrë vendimi i bordit. Vendimi i bordit është çështje orësh, po protokollohet, po zbardhet do i shpërndahet fakulteteve, dhe do fillojë direkt veprimtaria e pagesës së bursave”, nënvizoi drejtori i Drejtorisë Ekonomike pranë Rektoratit të Tiranës, Luan Lapraku. Sipas vendimit të qeverisë, janë 2846 studentë të cilët përfitojnë bursë, teksa 1165 janë kategori në nevojë dhe 1681 janë studentë ekselence. Deri tani janë paguar vetëm 1389 studentë, ndërsa të tjerët janë në proces.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here