Filmi “Love” pritet të vijë premierë për publikun në kinema. Një film me regji nga Dionis Papadhimitri, që është i xhiruar vitin e kaluar në Tiranë. Në role janë aktorë të njohur që publiku i ka vlerësuar në skenën e teatrit, por edhe në kinema, dhe tani janë në një tjetër projekt kinematografik që pritet të jetë gjatë muajit mars premierë. Skenari i filmit “Love” është shkruar nga Dionis Papadhimitri dhe Irivin Muçaj dhe në role janë aktorët Genti Kame, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Herion Mustafaraj, për të vijuar edhe me Luli Bitri, Rozi Kostani, Olta Gixhari dhe Sara Kolami. Në qendër të filmit artistik “Love” qëndron Geri, rolin e të cilit e luan aktori i njohur Genti Kame. Geri një mashkull rreth të 40-tave i lodhur nga jeta në Itali, ai vendos që të kthehet në vendlindjen e tij në Tiranë. I palumtur nga martesa prej dhjetë vjetësh Geri vendos të jetojë pa bashkëshorten e tij në Tiranën e zhurmshme të klubeve, pubeve, diskove ku takohet me miqtë e tij të mirë Tomin, Mondin dhe Danielin, role të luajtura nga aktorët Gent Hazizi, Gentian Zenelaj dhe Herion Mustafaraj. Por një zë i vazhdueshëm e shoqëron në çdo periudhë të ditës. Është Ela, që në film luhet nga aktorja Luli Bitri, gruaja e tij që ka lënë në Itali. Pasioni për seks me dashurinë e tij të parë, Fionën rol i luajtur nga aktorja Rozi Kostani dhe lidhja me një vajzë të re Elizën, një rol i luajtur nga Olta Gixhari e bëjnë Gerin që të pakësojë numrin e anti depresivëve që ai pi. Por kjo zgjat deri në ditën që Ela vjen duke i prishur balancat e tij dhe nëpërmjet kontrollit që arrin të vërë mbi të e rrënon këtë marrëdhënie, duke e bërë Gerin të pajtohet me statusin e një martesë lineare, ku dashuria është një term i harruar. Si gjithmonë fundi është i njëjtë kthehet sërish te ajo, zëri që i prishte qetësinë.
Puna me filmin
Filmi “Love” është një prodhim i shtëpisë kinematografike Papadhimitri Film Production. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe producenti Klajd Papadhimitri, i cili bën me dije në punën me këtë projekt ka mbetur vetëm miksazhi. Filmi me metrazh të gjatë nga Papadhimitri Production dhe i financuar nga QKK është i mbështetur si projekt në realizimin e tij edhe nga Bashkia Tiranë. Ky film i shtohet listës së projekteve që janë të financuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe janë xhiruar gjatë vitit të kaluar në zona të ndryshme të vendit dhe që priten premierë për publikun. Por pranvera do të sjellë në kinema filmin “Love” një projekt që ka marrë jo pak vëmendje në punën Dionis dhe Klajd Papadhimitrit. Në role aktorët janë të njohur, që janë vlerësuar nga publiku me angazhimet e tyre, por tani do ti shikojë në kinema me të tjerë personazhe në filmin “Love”. Filmi që do të jetë premierë do të sjellë një tjetër histori shqiptare, që ndodh në kryeqytet, por që ngjarjet i zhvillon në Tiranën sot. Nëse Genti Kame këto kohë publiku po e shikon në seriale televizive me një nga personazhet e vlerësuar, aktorët e tjerë i ka duartrokitur po ashtu gjatë shfaqjeve në skenat e teatrit. Gent Hazizi ka qenë angazhuar në shfaqjet teatrore me personazhe të ndryshme. Gentian Zenelaj po vijon dhe këto ditë të muajit shkurt në skenën e teatrit me rol në komedi. Herion Mustafaraj po ashtu së fundmi ishte me projektin e tij në Teatrin Eksperimental. Por dhe aktoret Rozi Kostani, Luli Bitri, por dhe Olta Gixhari gjithashtu kanë vijuar me role në teatër.
Nga Julia Vrapi
































