Arben Shira: GKA, edhe pas 30 vitesh ka mbetur si në kohën e realizmit socialist

0
661

Problemet me aktivitetin artistik i përballin me vështirësi krijuesit në art. Edhe piktorët shprehen se deri tani nga Ministria e Kulturës ka munguar ajo vëmendje që duhet për artin. Piktori Arben Shira tregon se mbështetja e shtetit ka rëndësi të madhe, duke parë sot edhe gjendjen e varfër ekonomike në vend. Sa i takon problemeve me galerinë piktori Arben Shira shprehet se nga Ministria e Kulturës duhet parë statusi i Galerisë Kombëtare të Arteve, që sipas tij duhet që ajo të shndërrohet në muze arti me një sallë ekspozimi veç linjës së muzeut. Në intervistën për “SOT” piktori Arben Shira mes të tjerave vijon se duhet që galeria të ketë një vlerësim objektiv jashtë politikave imponuese, që vlerësimi i veprave të bëhet në bazë të vlerave artistike dhe jo politika si është ndërtuar galeria fatkeqësisht edhe me demokracinë. Problem për piktorin është dhe mosblerja e vepra të artit nga Galeria Kombëtare e Arteve apo dhe institucione të tjera në vend, që sipas tij kjo është një diskrimin që i bëhet artistëve.

-Me aktivitetin tuaj në pikturë ku jeni përqendruar këtë vit?

Puna ime konsiston duke punuar çdo ditë dhe kur më ofrohet mundësia ekspozoj. Tani jam duke vlerësuar mundësitë për të bërë nja tre ekspozita në Itali. Vjet në muajin nëntor bëra një ekspozitë në Tiranë me punët e fundit, që u prit shumë mirë nga artistë dhe studiues. Aty kisha sjellë vizion tim të pikturës moderne me temën shqiptare. Ky vizion konsiston në mënyrën time të interpretimit tim ku jeta risillet me vlera të tjera estetike, duke përmbysur atë klasike, por duke ruajtur gjithmonë vizionin. Në pamjen e parë duken si një raport abstrakt i ngjyrave, por duke vazhduar ta shikosh lexon një vizion nga jeta.

-Ju keni qenë kritik ndaj asaj që po ndodh me institucionet e artit në vend. Për ju, si ndikon kjo për artistët dhe aktivitetin e tyre në krijimtari?

Politikat e shtetit tonë sigurisht që ndikojnë tek artistët, sepse ato kanë nevojë gjithmonë për mbështetje nga populli dhe shteti. Mbështetja e shtetit ka rëndësi më të madhe, duke parë edhe gjendjen e varfër ekonomike të njerëzve.

-Në qëndrimin tuaj ju jeni shprehur edhe me kritika ndaj politikave të Ministrisë së Kulturës. Çfarë mungoi?

Mendoj se nga Ministria e Kulturës duhet parë statusi i Galerisë Kombëtare të Arteve, që sipas mendimit tim duhet që ajo të shndërrohet në muze arti me një sallë ekspozimi veç linjës së muzeut. Duhet që galeria të ketë një vlerësim objektiv jashtë politikave imponuese, domethënë duhet që vlerësimi i veprave të bëhet në bazë të vlerave artistike dhe jo politika si është ndërtuar galeria fatkeqësisht edhe me demokracinë.

-Meqë jemi te institucionet, për GKA prej kohesh është folur për një rikonstruksion. Çfarë mendoni sepse deri tani nuk dimë një projekt?

Galeria në themel ka realizmin socialist. Linja galerisë duhet të jetë arti i Shqipërisë nga lashtësia deri më sot dhe realizmi socialist të zërë vendin e atyre viteve që i takon. Vëmendje duhet edhe për kohën e demokracisë sot në art.

-Mbyllja e “Onufrit” çfarë sjell në jetën artistike?

Personalisht konkursi “Onufri” nuk më ka thënë ndonjë gjë. Galeria duhet të jetë muze dhe çdo konkurs mund të zhvillohet në ambiente të tjera pa bezdisur GKA.

-Artistët kërkojnë që Ministria e Kulturës t’i mbledhë dhe të zhvillojë takime për problemet me GKA, që sipas tyre i ka mbyllur derën për ekspozita. Ju ccfarë mendoni?

Mendoj se ministria e sotme duhet të kërkojë një bashkëpunim me studiuesit e rinj, që vijnë edhe nga jashtë për të bërë një rivlerësim të vlerave të pikturës sipas frymës së kohës dhe duke larguar një anshmërinë komuniste, që mbizotëron në mentalitetin e aty. Problemi kryesor i galerisë qëndron në atë se kjo galeri ka lindur si galeri e realizmit socialist dhe sot pas 30 vitesh demokraci ajo ka mbetur ashtu siç ishte. Me ardhjen e demokracisë duhesh parë gjithë galeria në frymën demokratike. Punët që kanë hyrë në galeri janë vlerësuar sipas kriterit të politikës komuniste në pikturë. Partishmëria komuniste ishte kriteri i vlerësimit të veprave. Ka pasur dhe luftë politike kundër atyre piktorëve, që nuk ishin afër politikës komuniste në art. Arti shqiptar nuk fillon me komunizmin, por me ekzistencën e popullit tonë nga shekujt. Edhe se në pushtet ka qenë partia demokratike linja e galerisë ka qenë po ajo e diktaturës. Nuk ka pasur asnjë tentativë që artistët që u dënuan gjatë komunizmit të kenë një hapësirë sot në galeri. Duke qenë galeri kombëtare, ajo duhet të përfaqësojë artin e trevave shqiptare. Galeria duhet të ketë edhe një pavion të artit botëror përkrah artit shqiptar dhe kjo në vazhdimësi. Galeria duhet ti lërë hapësirë që dhurimet e ndryshme të shtojnë pasurimin e saj. Por siç u shpreha dhe më sipër po ashtu duhet që galeria në bashkëpunim me shtetin rivlerësimin e pasurisë tonë të pikturës duhen ta bëjnë në bashkëpunim me studiuesit e rinj, që të ketë një klasifikim të vlerave të artit jashtë politikës.

-Deri tani nuk kemi dhe një kalendar aktivitetesh dhe ekspozitash të bërë publik nga GKA për 2019. Mungesa e një kalendari artistik për një institucion kombëtar çfarë sjell sipas jush?

Mendoj se kalendari i aktiviteteve të Galerisë Kombëtare të Arteve duhet prezantuar para se të hyjë viti. Kjo gjithmonë sipas mendimit tim për ato që thashë më sipër.

-Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës, sepse tani është një tjetër titullare që drejton. Për artin çfarë duhet?

Ministrisë së sotme do ti sugjeroja që për pikturën të pyesë se çfarë ndodh sot me artistët shqiptarë, që ajo t’u ndihmoje me atë çka shteti mund të bëjë sa më mirë në ndihmë të vlerave tona si popull.

-Po vetë artistët përballë kësaj situate që i shoqëron prej vitesh me probleme sa kanë përgjegjësi? Sipas jush, a duhet të kishin reaguar më shumë?

 Artistët shqiptarë si në vend dhe jashtë tij punojnë sipas mundësive që kanë. Unë do ti uroja punë të mbarë dhe sa më shumë bashkëpunim midis tyre dhe kontakte me shtetin tonë.

-Artistët shohin problem që sot nuk blihen vepra arti as nga GKA, por as nga institucionet si dikur. Çfarë duhet bërë?

Mos blerja më e veprave nga galeria është problem i vërtetë. Thuhet se nuk ka para, por paratë gjenden kur është dëshira e mirë. Mos blerja e sotme është diskriminim që i bëhet artistëve të sotëm duke lënë në fuqi mbivlerësimin, që ju bë piktorëve të realizmit socialist.

 – Ju e keni vazhduar edhe jashtë shtetit aktivitetin tuaj, sa e vështirë ka qenë për ju?

Të marrurit sot me pikturë si mjet jetese është një punë heroike para vështirësive të sotme si në Shqipëri dhe kudo. I kam parë gjithmonë piktorët e komunizmit si borgjezë përballë vështirësive të piktorit sot. Piktorët më parë punonin për kishën dhe pushtetin, piktori në diktature punonte për shtetin, ndërsa sot piktori punon për popullin, që kështu bëhet mecenati i tij. Këtu qëndron dhe dilema dhe vështirësia e piktorit sot që ka pak njerëz që e mbështesin punën e tij, duke e vështirësuar në ekstrem jetën ekonomike të piktorit, kështu që piktorit sot i duhet të sakrifikojë jetën për realizimin e veprës së tij.

-Një problem sipas artistëve është dhe mungesa e galerive në vend dhe sipas tyre mungojnë hapësirat për ekspozime. Sa përgjegjësi kanë bashkitë në vend?

 Galeritë e arteve në rrethe duhet të gjitha ti hapen publikut. Ato probleme që ka Galeria Kombëtare duhet dhe këto galeri ti tejkalojnë. Bashkitë mendojnë se duhet të vënë sa më shumë salla ekspozimi në shërbim të artistëve lokalë.

Krijimtaria në pikturë

Piktori Arben Shira është diplomuar në Akademinë e Arteve në Bari. Piktori shqiptar falë krijimtarisë së tij artistike është një personazh i njohur edhe për kritikën italiane. Punët e tij janë vlerësuar shpesh në shtypin e huaj dhe prej vitesh i është përkushtuar vetëm pikturës. Artisti që në fëmijëri ka pasur lidhje me pikturën, por duke ditur që ishte nga një familje e persekutuar edhe ai u bë pjesë e këtyre persekutimeve, ku nuk arriti dot të studionte në Liceun Artistik. Në Itali ai ka ekspozuar në shumë ekspozita personale, ndërkohë ka marrë pjesë dhe në ekspozita me piktorë të ndryshëm italian në të gjithë vendin. Në nëntor të vitit që kaloi piktori Shira hapi ekspozitën e shtatë personale në Shqipëri. Kjo ishte ekspozita e shtatë, që ai si piktor organizon në Shqipëri gjatë viteve që nga 2010. Këtë herë ai prezantuan në Muzeun Historik Kombëtar me disa punime që i takonin një cikli të jetës shqiptare të trajtuara me pikturën e tij moderne. Janë punë që piktori kishte realizuar në vitet e fundit dhe ishte një përzgjedhje me të cilën ai më herët kishte organizuar edhe një ekspozitë në Perugia të Italisë. Piktori Arben Shira me krijimtarinë e tij nuk ka munguar edhe në qytetin e Durrësit. Ndër ekspozitat e tij përmendim prezantimin e 63 tablove në Muzeun Historik Kombëtar disa vite më parë. Ekspozita ndahej në tre periudha. Periudha e parë ishte realiste, e dyta një periudhë që ai i largohet realizimit duke dashur të gjejë një gjuhë më personale dhe momenti i tretë stilizimi i tij si pikarritje në kuptimin e pikturës moderne.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here