Vepra “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha me regji Milto Kutali do të vijë premierë për publikun në teatrin “Zihni Sako” të qytetit të Gjirokastrës. Në role aktorët e trupës së teatrit të Gjirokastrës, por angazhohen tragjikomedinë dhe të rinj që në vazhdimësi do të jenë pjesë e këtij teatri. Drejtori i teatrit njëkohësisht dhe aktor në vepër Kudret Alikaj tregon se është një vepër që përcjell mesazhe. ““Fqinjët” është ndoshta vepra që flet me shumë dhe për ngjarjet e kohës, për miqësinë, për marrëdhëniet, popujt kanë qenë shumë mirë me njëri- tjetrin, por është politika që i ka trazuar dhe qarqet ndryshme e nacionalizmat e tepruar. Është vepër që i flet bashkëjetesës dhe harmonisë”, tregon Alikaj. Më tej ai shprehet se vepra do të jetë premierë nga mesi i muajit mars në skenën e këtij teatri, por do të jetë më pas dhe në skenat e Tiranës. Në role janë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri. Me regji nga Milto Kutali, skenograf në vepër është Gazmend Koçollari. “Fqinjët” vjen në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën ku ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë.
Krijimtaria e autorit
Dramat dhe komeditë e Ruzhdi Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Autor i angazhuar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat e tij. Veprimi në këto vepra shpesh provokon debate sociale e politike të ndezura, si në një sallë gjyqi. Përmes tyre synohet një efekt kathartik tek audienca, që duhet të nxisë frymën e kundërshtimit ndaj padrejtësive të çdo lloji. Stili i këtij autori dallon për kompozicionin e thjeshtë, veprimin e qartë e të rrjedhshëm, dialogun konkret e të drejtpërdrejtë, vizatimin e shkëlqyer të karaktereve, si edhe tempin e lartë. I lidhur fort pas realizmit, nuk ka tentuar fare të eksperimentojë metoda alternative. Talenti dhe angazhimi qytetar e kanë bërë të kapërcejë me sukses ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Pas disa dramave të suksesshme para vitit 1991, si “Maro Mokra”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Nën dritat e skenës”, “Doktori pacient”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” apo komedia , kalon një periudhë “tranzicioni” si skenarist i radionovelës së parë shqiptare “Rruga me pisha” (në bashkëpunim me Radio BBC). Në vitin 2000 rikthehet në skenë me “Kohë e çmendur” dhe arrin të bëhet sërish i kërkuar dhe i vënë në skenë, me , “Streha e të harruarve” (2004). Në vitet 2001- 2002 është skenarist edhe i telenovelës së parë shqiptare, “Njerëz dhe fate”. Ruzhdi Pulaha ka shkruar skenarë filmash shumë të njohur si “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”.
Nga Julia Vrapi