Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë shkatërruar një grup kriminal i cili merrej me trafikimin e qenieve njerëzore. Anëtarët e këtij grupi kriminal sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit pajisnin me dokumente të falsifikuara qytetarë shqiptarë mes tyre edhe me rrezikshmëri të lartë apo me precedentë penalë dhe më pas i dërgonin në vende si SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar dhe vendet e BE-së kundër shumave monetare. Referuar njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Rruga e gabuar”, goditi grupin kriminal me 36 anëtarë të dyshuar, ndërsa në pranga u vunë 32 prej tyre, ndër ta, edhe një punonjës policie. Referuar burimeve, ky operacion, është vazhdim i operacioneve të mëparshme të zhvilluar për goditjen e këtij fenomeni. Ndërkohë, hetimet për grupin janë vazhdim i të njëjtit procedim penal me ato të vitit 2018, ku u goditën dy grupe të tjera. Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria ka kryer një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale, duke dokumentuar me prova disa episode të pajisjes së personave me dokumente të falsifikuara dhe kalimit të tyre të paligjshëm.
Operacioni dhe hetimet
Kanë qenë hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligj zbatuese që kanë bërë të mundur zhvillimin e operacionit në fjalë. Ndërkohë, mësohet se pjesë e këtij operacioni, ashtu si në dy operacionet e para, është zhvilluar me ndihmën e agjentëve të Sigurisë së Shërbimit Diplomatik, të atashuar në Ambasadën Amerikane (DSS). Në kuadër të këtij operacioni u zbuluan dhe sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash kesh, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentesh të personave si dhe një armë zjarri automatik. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër, ku u përfshinë rreth 250 forca policie. Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan, Tiranë dhe Korçë. Gjithashtu, policia bëri të ditur se kanë marrë pjesë rreth 250 forca policie. Ky operacion u zhvillua në vijim të procedimit penal “272”, në bazë të hetimeve dhe informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë se Krimeve të Rënda dhe në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese vendase e të huaja, ku u godit pjesa tjetër e grupit të strukturuar kriminal që vazhdonte aktivitetin pas goditjes në vitin 2018. Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se pjestarët e këtij grupi në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e BE-së, si dhe atyre shtetasve që iu ishte ndaluar hyrja në një nga vendet e hapësirës SCHENGEN. Anëtarët e këtij grupi kriminal, pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada.
Arrestimet
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të caktuar 36 masa sigurimi për anëtarët e dyshuar të këtij grupi. Ata akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, personat e arrestuar janë: A. Sh., 46 vjeç, nga Tirana; S. K., 60 vjeç, nga Tirana. R. H., 43 vjeç, nga Gjirokastra; D. S., 35 vjeç, nga Gjirokastra; L. M., 61 vjeç, nga Përmeti; A. Z., 48 vjeç, nga Delvina; E. O., 52 vjeçe, nga Saranda; K. Gj, 52 vjeç, nga Korça; A. D., 54 vjeç, nga Korça; P. B., 59 vjeç, nga Vlora; G. Sh., 32 vjeç, nga Tirana; B. M., 52 vjeç, nga Kruja. A. K., 35 vjeçe, nga Mallakastra; Gj. M., 46 vjeç, nga Vlora; A. E., 47 vjeç, nga Saranda; E. M., 31 vjeç, nga Fieri. I. M., 59 vjeç, nga Gjirokastra; S. Ç., 55 vjeç, nga Gjirokastra; M. M., 31 vjeç, nga Lushnja (në banesë ju gjet armë zjarri kallashnikovë); D. T., 50 vjeç, nga Elbasani; B. H., 45 vjeç, nga Berati; Ç. T., 48 vjeç, nga Gjirokastra; V. Gj., 50 vjeç, nga Gjirokastra; M. Sh., 46 vjeç, nga Gjirokastra; V. G., 54 vjeç, nga Saranda; E. B., 28 vjeç, nga Tepelena (me detyrë punonjës policie). Ndërkohë, policia i komunikoj masën e sigurisë “Arrest shtëpie” shtetasve me inicialet, Sh. Sh., 65 vjeç, nga Saranda; E. M., 56 vjeç, nga Fieri; J. G., 69 vjeç, nga Delvina; A. L., 52 vjeç, nga Kruja; I. M., 35 vjeç, nga Tirana si dhe Z. Xh., 57 vjeçe, nga Vlora.
Elvis Myrta









































