Google search engine
Home Sport Gjakoset futbolli në Fushë-Krujë, rrihen lojtarët e Skënderbeut, akuzohet Partizani

Gjakoset futbolli në Fushë-Krujë, rrihen lojtarët e Skënderbeut, akuzohet Partizani

0
492

Në kuadër të javës së 20-të të Kategorisë Superiore, u luajt dje në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, takimi mes Kastriotit dhe Skënderbeut, fituar nga krutanët me rezultatin 2-1. Por përtej rezultatit që ka bërë bujë sigurisht, kjo ndeshje pati një jehonë tjetër, para se të niste takimi, janë goditur tre lojtarë të ekipit korçar, duke sjellë edhe ndërprerjen e për pak edhe braktisjen e ndeshjes. Oto Xhon, Idriz Toskiç dhe Kristi Vangjeli janë futbollistët e goditur dhe të dëmtuar. Kjo ka ndodhur në ambientet e brendshme të stadiumit, ku ka munguar tërësisht prania e forcave të policisë. Menjëherë klubi korçar është futur në mbledhje dhe ka kërkuar ndërhyrjen e forcave speciale, e në fund klubi vendosi të zbresë skuadrën në fushë. Ishte një situatë e nderë, ku aktet e dhunës kthehen dhe një herë në impiantet e futbollit shqiptar. Më pas ndeshja u luajt normalisht, por Skënderbeu tha pas ndeshjes se humbja e tij erdhi nga ngarkesa psikologjike e lojtarëve. Mbetet që ky rast të dënohet nga komisionet disiplinore të federatës.

Qëndrimi i Skënderbeut

Nëpërmjet një qëndrimi të gjatë, klubi korçar ka zbardhur ngjarjen dhe rrethanat, por edhe kërkon që të marrin fund këto akte të turpshme në futbollin shqiptar. “Duke marrë shkas nga ngjarjet e pragndeshjes së sotme, KF Skënderbeu dënon fuqishëm aktet e ndodhura në Fushë-Krujë dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës. Kemi vënë në dijeni sot të gjithë opinionin futbolldashës me reagimin e përpara fillimit të takimit, ku janë goditur qysh në hyrje tre lojtarë të Skënderbeut. E themi me bindje se ky vandalizëm ndaj nesh ka qenë i mirëogranizuar deri në detaje, aq më tepër në hyrje të stadiumit kur njerëz të paautorizuar janë vërsulur ndaj lojtarëve tanë duke përfituar edhe nga kushtet e papërshtatshme që ka stadiumi ku u luajt edhe ndeshja por edhe nga mungesa e forcave policore apo sigurisë private. Sigurisht që kjo ngjarje ndikoi edhe në mbarëvajtjen e ndeshjes, por me këtë nuk duam të justifikojmë aspak humbjen që pësuam në këtë takim të javës së 20-të. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit sa më parë që të merren masa për incidentin e ndodhur sot në Fushë Krujë dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në vijim të sezonit për një mbarëvajtje sa më të mirë të garës. KF Skënderbeu kërkon me ngulm nga organet kompetente nisjen e hetimeve, zbardhjen e plotë të çështjes dhe evidentimin e autorëve të këtij incidenti të mirëorganizuar paraprakisht, ndryshe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” do të rishikojë vazhdimin e garës deri në fund. Edhe njëherë nuk duam të justifikojmë humbjen, por atë që pa me sytë e vet sot ekipi në takimin ndaj Kastriotit vetëm për futboll nuk mund të flitet më pas. Në pritje të reagimit të organeve kompetente”, shkruhet në njoftimin e Skënderbeut.

Qëndrimi i Partizanit

Ndërkohë, po dje reagoi me forcë dhe klubi i Partizanit. “Klubi merr shkas të reagojë në lidhje me informacionet apo deklaratat live të përcjella në media për incidentin e ndodhur përpara takimit Kastrioti-Skënderbeu i vlefshëm për javën e 20-të. Është e vërtetë që Klubi i Futbollit Partizani gëzon simpatizantë dhe mbështetës në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por, është po aq e vërtetë se përgjatë gjithë ecurisë së këtij kampionati (dhe jo vetëm), tifozeria jonë është tifozeria më korrekte në stadiume. Për asnjë moment tifozeria e Partizanit nuk ka shfaqur akte dhune as ndaj lojtarëve të ekipeve rivale as ndaj zyrtarëve te ndeshjes, përfshirë edhe arbitrat dhe as te ketë qenë iniciatore e dhunës ndaj çdo tifozerive kundërshtare dhe në çdo stadium te vendit. Nuk e kuptojmë sesi lojtari Kastriotit Neziri arriti të identifikojë agresorët e sulmit ndaj lojtarëve të Skënderbeut, të cilët në transmetim direkt i ka cilësuar si pjesëtar të tifozerisë së Partizanit, kur ndërkohë skuadra Kastriotit, siç edhe e deklaroi trajneri Devolli, në ato momente ka qenë duke zhvilluar analizën në dhomat e zhveshjes në prani të të gjithë pjesëtarëve te Kastriotit. Klubi dënon incidentin e ndodhur në Fushë Krujë dhe thekson se ngjarje të tilla nuk duhet të cenojnë aktorët e lojës së futbollit”, shkruan klubi i Partizanit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here