Tirana ka bërë një start mjaft të mirë për këtë vit, pasi e ka nisur me fitore në ndeshje zyrtare, duke hedhur një hap të madh përpara në Kupën e Shqipërisë. Dje bardheblutë mposhtën ekipin e Flamurtarit me rezultatin 2-0, në duelin e parë të turit të dytë të kupës, duke qenë pranë një kualifikimi në çerekfinale. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse ndeshja e kthimit do të luhet në Vlorë, por kjo fitore e pastër dhe bindëse mund t’i japë shtysë skuadrës së trajnerit Ardian Mema të menaxhojë si duhet duelin e kthimit dhe të konfirmojë Tiranën si një prej skuadrave çerekfinaliste. Ndeshja e djeshme mori rëndësi të veçantë, pasi ishte e ndërprerë që nga mbrëmja e së mërkurës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, teksa dje nisi në mesditë dhe u luajt vetëm 65 minuta, pasi 25 minutat e para ishin luajtur të mërkurën dhe nuk kishin prodhuar rezultat. Kjo kohë ndërprerjeje i dha një avantazh të madh skuadrës bardheblu, e cila i përmirësoi ndjeshëm parametrat e saj sportivë dhe u tregtua mjaft e zonja në episodet vendimtare të lojës. Pra, bardheblutë nuk bënë më gabimet e një ditë më parë ku shpërdoruan dhe një 11-metërsh duke e nisur me marshin e 5-të sfidën. Tirana gjeti shumë shpejtë epërsinë, teksa Majkëll Ngoo në minutën e 37-të, 12 minuta pasi kishte rifilluar sfida që ishte ndërprerë në minutën e 25-të, përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe më një goditje tokazi nuk i dha asnjë shans portierit Koliçi që deri në ato momente ishte shpëtimtari i Flamurtarit. Bardheblutë kishin më shumë dëshirë se kuqezinjtë dhe 3 minuta më vonë në të 40-ën gjetën edhe golin e dytë me një goditje të fortë nga distanca të Erjon Hoxhallarit. Përpjekjet e Flamurtarit që kishte edhe mungesa në këtë sfidë ishin të kota pasi deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Tiranën që mori një fitore me shumë peshë që i jep bonus të madh përsa i përket kualifikimit në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë.
Mema i sinqertë: E duam Kupën, shansi i vetëm për të shkuar në Europë
Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk e fshehu gëzimin e tij për ndeshjen e fituar ndaj Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë, madje dukje pranuar hapur se kupa ishte opsioni i vetëm për bardheblutë që të kualifikoheshin në Ligën e Europës. “Kjo fitore vlen shumë në aspektin psikologjik, e nisëm vitin mbarë. Loja më kënaq, edhe pse kemi sërish gabime. Janë minimizuar disi gabimet e shkuara. Për fillimin e këtij viti jam i kënaqur. Kemi bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit. Vlora është ekip i fortë. Patëm disi edhe fat me golat, por mund të shënonim edhe të tjerë e ta mbyllnim kualifikimin”, u shpreh Mema. Më pas trajneri komentoi lëvizjet në merkato si dhe objektivin e klubit në këtë kompeticion. “Po pres afrime. E kam thënë, ekipi ka nevojë për lojtarë. Kanë ikur dy lojtarë dhe ata duhen zëvendësuar. Stolin e kisha me të rinj sot. Muçi ka edhe një vit me të rinjtë, por u fut me goxha kualitet në fushë. Gjithçka shkoi mirë. Në ditët në vazhdim do të ketë të reja. Ne do luftojmë në të dyja frontet. Në kampionat nuk jemi mirë, kurse Kupa të çon në Europë. Klubi e ka pasur si objektiv dhe Kupa mund të na çojë. Por duhet të luajtëm si sot, të jemi akoma më të përqendruar dhe kështu mund të ecim para”, shtoi trajneri bardheblu, Ardian Mema.
Daja: Shpresoj të përmbysim në kthim, ky rezultat na penalizon
Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, nuk e fshehu nervozitetin e tij pas disfatës së djeshme ndaj Tiranës, një rezultat që ai e quajti të mirë për bardheblutë dhe që e vë në vështirësi ekipin e tij. “Sigurisht që është një rezultat që i jep Tiranës një hap drejt kualifikimit. Ka edhe 90 minuta. Ne kishim shumë mungesa dhe improvizuam. Pësuam dy gola në goditje standarde por pjesë e lojës janë edhe gabimet. Te goli i parë nuk ruajtëm topin e dytë. Do bëjmë gjithçka që në kthim të kalojmë më tej në Kupë. Ne mund të shkojmë drejt objektivit europian nga Kupa ose nga kampionati. Nuk kemi çfarë humbasim në ndeshjen e kthimit dhe me rikthimin e titullarëve të tjerë, mendoj se do të zgjidhim diçka ndryshe nga sot”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja.
Adriatik BALLA










































