CIA tregon detaje nga bashkëpunimi me Ballin Kombëtar për rrëzimin e regjimit komunist, ja çfarë do të ndodhet në rast lufte

0
461

Amerikanët kanë treguar detaje nga bashkëpunimi i amerikanëve me partitë shqiptare në emigracion. Në një dokument të deklasifikuar jepen informacione mbi bashkëpunimin me Ballin Kombëtar me qëllim rrëzimin e Enver Hoxhës. Po ashtu jepen dhe detaje se si do vepronin amerikanët në rast lufte në Shqipëri.

Partitë shqiptare

Katër nga partitë e shqiptarëve në emigracion tashmë po bashkëpunojnë me SHBA në operacionet klandestine kundër regjimit të Hoxhës, nën mbulimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Në anëtarësinë e tyre ato supozohet të përfaqësojnë grupet e shtypura brenda Shqipërisë. Balli Kombëtar është grupi më superior në Komitet, i formuar gjatë kohës së pushtetit gjerman me elementë nacionalistë, influenca e të cilit shtrihet kryesisht në zonat jugore e qendrore. Por që prej verës së vitit 1950, BK është ndarë në dy fraksione. Fraksioni konservator është ai i drejtuar nga Ali Këlcyra ndërsa grupi tjetër përfaqëson tendencat agrare socialiste. Balli Kombëtar ishte partia e parë që u mund nga forca e armëve të komunistëve në 1943. Me sulmin e tyre komunistët detyruan ballistët të pranonin ndihmën e gjermanëve dhe postet në qeverinë e Tiranës, me qëllim që të mbroheshin nga grupet komuniste. Më vonë komunistët përdorën të njëjtat taktika dhe ndaj grupeve të tjera të rezistencës, si ai i Abaz Kupit, që tashmë përfaqëson partinë e Legalitetit në Komitetin Shqipëria e Lirë. Kupi dhe grupi i tij, ndryshe nga shumica e komunistëve apo anëtarëve të Ballit, janë liderë fisnorë gegë nga zona e Matit në veri të Shqipërisë ku ish-mbreti Zog ka pasur mbështetjen. Udhëheqësit e Legalitetit u larguan nga Shqipëria në 1944 kur komunistët morën kontrollin e zonës së Matit. Të dyja partitë lanë pas shumë mbështetës që për ne janë “forca miqësore”. Por të mbeturit janë objekt ndjekjeje persekutimi dhe vrasjesh, prandaj tani pas gjashtë vjetësh ata nuk janë në pozitë për të ofruar një rezistencë të koordinuar ndaj regjimit të Hoxhës, prej mungesës së udhëheqjes brenda Shqipërisë. Partia e tretë e përfaqësuar në Komitet është e ashtuquajtura Lidhja e Fshatarëve e Katundarëve, e cila nuk mund të themi se përfaqëson grupe politike të brendshme pasi është krijuar në emigracion me sponsorizimin britanik, kryesisht me ndjekësit e udhëheqësit të rezistencës Said Kryeziu. Influenca e familjes Kryeziu në Shqipëri dhe në Kosovë, ka qenë e madhe gjatë luftës, dhe një pjesë e konsiderueshme e saj mbetet edhe sot. Herë pas here në Shqipëri raportohen grupe të reja rezistence, të cilat kërkojnë mbështetje nga jashtë, veçanërisht nga SHBA. Kur dështojnë të marrin këtë ato kthehen nga Jugosllavia apo Greqia. Një herë grupe rezistence u raportuan në Shqipërinë qendrore e jugore, disa prej të cilave pretendonin se ishin organizata të gjera. Por asnjë përveç fiseve veriore nuk kanë qenë të aftë të ruajnë ekzistencën e tyre si forcë e organizuar për një periudhë të gjatë. Në fakt grupet e rezistencës janë toleruar qëllimisht nga regjimi, derisa kanë nisur të shtohen dhe organizohen, kur dhe janë eliminuar nga autoritetet. Por ne jemi pasur sukses kohët e fundit në marrjen e emrave të shumë individëve në Itali që janë aktivë dhe miqësorë ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë. Këmbëngulja e këtyre elementëve opozitarë megjithë mekanizmin e fuqishëm të kontrollit, dëshmon për forcën e traditës vendase të pavarësisë.

Forca armiqësore

Forcat jo-komuniste e anti-sovjetike në Shqipëri që të punojnë kundër interesave të SHBA janë shqiptarët pro-jugosllavë dhe ndoshta ata pro-grekë. Grekët kanë ruajtur një qëndrim të pandryshuar për çështjen e “Epirit të Veriut” dhe po përpiqen të ruajnë kontaktet me minoritetin e tyre në jug të Shqipërisë. Ndoshta kërcënimi më serioz ndaj politikave të SHBA paraqitet nga elementët shqiptarë pro-jugosllavë të cilët kohët e fundit kanë formuar grupin rival me Komitetin Shqipëria e Lirë. Lidhja e Prizrenit është formuar me sponsorizimin e autoriteteve jugosllave në Kosovë dhe pretendon rreth 600 000 anëtarë. Afërsia gjeografike e grupit me Shqipërinë dhe lidhjet me elementët e rezistencës brenda vendit, padyshim që e bëjnë atë të favorizuar në krahasim me Komitetin dhe rrjedhimisht dhe me SHBA. Aktualisht influenca e tij është më e madhe me elementët komunistë të pakënaqur shqiptarë. Jugosllavët dhe komiteti i tyre i refugjatëve kanë arritur njëfarë suksesi mes fiseve veriore dhe elementëve të Ballit Kombëtar Indipendent. Politika e partisë komuniste e ndarjes së tokës, e vënë në fuqi menjëherë pas luftës, ishte arsyeja e suksesit të saj fillestar, veçanërisht në zonat jugore, ku argatët e bejlerëve ishin një shtresë e gjerë dhe e shtypur e popullsisë. Por masat ekstreme të taksave dhe konfiskimit të bagëtive larguan mbështetjen fillestare ndaj partisë, sipas raportimeve të refugjatëve të cilët thonë se nuk mund të mbanin ushqim mjaftueshëm për të mbijetuar.

Problemet ekonomike

Regjimi i Hoxhës, pas refuzimit të ndihmës së ish-bashkëluftëtarëve jugosllavë, ka rezultuar relativisht i qëndrueshëm megjithë izolimin nga orbita sovjetike dhe kushtet e brendshme primitive. Një nga problemet kryesore për stabilitetin e vendit është pamjaftueshmëria ekonomike por kjo nuk përbën një kërcënim urgjent për regjimin e Hoxhës, për sa kohë që ai ka mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Standardi i jetesës së shqiptarëve është më i ulëti në Evropë por kjo duket se nuk prek fare stabilitetin e qeverisë. Vuajtjet dhe mjerimi i popullit duket se janë për shqiptarët një mjet më shumë për bindjen ndaj qeverisë, sesa për nxitjen e revoltës. Ndërkohë rritja e dërgesave industriale dhe ushqimore nga blloku sovjetik tregon vullnetin e Moskës për të mbajtur regjimin në pushtet. Opozita e brendshme ndaj regjimit është lehtësuar nga terreni malor në veri të vendit, rajon i cili vazhdimisht ka ruajtur pavarësinë nga qeveria e Tiranës. Shqipëria është kryesisht e përbërë nga vargmale që ofrojnë fshehje e strehim për guerrilasit. Zona të tilla ka në kufi me Greqinë e Jugosllavinë, ku kufijtë kanë shumë boshllëqe kalimi. Duke pasur parasysh faktorët e mësipërm dhe interesat e tyre konfliktuese, është e qartë se një ndryshim i gjendjes aktuale në Ballkan, siç mund të ishte operacioni i suksesshëm i OPC ose i grupeve jugosllave, do të prishte ekuilibrin që ruan pushtetin sovjetik në Shqipëri dhe do të vinte në lëvizje të gjitha forcat, të brendshme e të jashtme.

Koncepti i operacioneve

Me anë të përpjekjes jokonvencionale për reduktimin e potencialit dhe aftësive sovjetike në Shqipëri ne mbështesim kundër-ofensivën aleate dhe objektivat e saj ushtarake e politike, me mjete klandestine. Misioni i para-luftës është krijimi i vlerave në mbështetje të përpjekjes së përgjithshme të luftës. Në rast lufte, misioni i OPC në Shqipëri duhet të arrijë objektivat e mëposhtëm: 1) neutralizimi i forcave shqiptare dhe sovjetike me anë të operacioneve të luftës jo-konvencionale 2) realizimi i akteve të sabotazhit kundër impianteve ushtarake shqiptare e sovjetike që mund të përdoren në ofensivën kundër Perëndimit, siç janë depozitat e naftës, bazat ajrore, detare dhe instalacionet e tjera ushtarake. Krijimi i një lëvizjeje klandestine me një forcë fillestare rezistence prej 2000 njerëzish. Krijimi i rrjetit për arratisje dhe për kthimin e personelit nga territori armik. Krijimi i mundësive për largimin e personave të rëndësishëm shqiptarë ose sovjetikë, ose me forcë ose me anë të nxitjes për dezertim; influencimi me anë të luftës psikologjike, i opinionit, mendësisë dhe sjelljes së armikut dhe grupeve miqësore apo neutrale, me qëllim mbështetjen në arritjen e objektivave të luftës. Në rast lufte është e nevojshme krijimi i sistemit të trajnimit të personelit vendas në një gradë më të madhe sesa për operacionet e tipit të Luftës së Ftohtë. Trajnimet duhet të përfshijnë, sabotazh, luftë guerile, komunikime e krijimin e një sistemi komunikimi për aparatin klandestin. Rrjete ndihmëse do të nevojiten për detyra të specializuara si programi i sabotazhit të komunikimeve në porte, impiante ushtarake ose minimi i aseteve me vlerë për sovjetikët. Detyra të tjera janë kontaktimi, organizimi dhe drejtimi i elementëve të rezistencës, kontaktimi i personelit të forcave Aleate të bllokuar brenda në Shqipëri dhe realizimi i arratisjes së tyre nga territori armik. Kjo do të kërkojë zgjerimin e rrjeteve të përhapjes së propagandës, si me valë radio ashtu dhe me letra të shtypura.

Marrëdhëniet me SHBA dhe vendet Perëndimore

Gjatë Luftës II Botërore, fuqitë e mëdha kanë inkurajuar dhe mbështetur grupet e rezistencës ndaj forcave pushtuese gjermane dhe italiane në Shqipëri, duke bashkëpunuar me grupet kryesore nacionaliste dhe komuniste partizane. Por misioni britanik mes radhëve të partizanëve shpejt e gjeti veten në rang të dytë ndaj atij jugosllav, përveçse kur ishte fjala për furnizime. Edhe para largimit të trupave gjermane, ishte bërë e qartë se ushtria nacional-çlirimtare partizane po punonte ngushtë me partizanët jugosllavë, me qëllim eliminimin e grupeve të tjera rivale të rezistencës të sponsorizuara nga Perëndimi. Bashkëpunimi mes partizanëve komunistë dhe jo-komunistë u mbyll në 1943. Forcat anti-komuniste punuan me Perëndimin, siç ishin ato të drejtuara nga Abaz Kupi e Said Kryeziu, që u larguan nga Shqipëria në 1944 kur e kuptuan se regjimi që po vinte në fuqi do i eliminonte. Ardhja në pushtet e komunistëve pas sukseseve të ushtrisë partizane justifikoi refuzimin e lidhjeve me Perëndimin. Por me gjithë këtë tendencë negative, fuqitë e mëdha e njohën qeverinë e ushtrisë çlirimtare të Enver Hoxhës në nëntor 1945. Por marrëdhëniet mes përfaqësuesve perëndimorë në Shqipëri dhe qeverisë së mbështetur nga Jugosllavia nisën përkeqësimin dhe u prishën në 1946, kur disa gjyqe konspirative akuzonin të dyshuarit për qëllime subversive ndaj Shqipërisë. Më tej, incidenti i kanalit të Korfuzit në tetor 1946 ku dy luftanije britanike u dëmtuan nga minat detare shqiptare, solli thyerjen e marrëdhënieve diplomatike. Misioni diplomatik amerikan u largua nga vendi në nëntor dhe pak më vonë qeveria shqiptare refuzoi të përmbushte detyrimet e traktatit të mbretit Zog ndaj SHBA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here