Ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi ka komentuar përplasjen Rama-Meta. Ai shprehet se është një betejë e dukshme për territor.Sipas tij, ata nuk duhet të përfshijnë këtu edhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me politikën rajonale apo me çështjen e kufijve të Kosovës. “Eshtë një fenomen i shëmtuar që nuk duhet të kishte ndodhur. Të paktën këto dy personalitetet më të rëndësishme të vendit duhet t’ia kursenin këtë Shqipërisë dhe publikut shqiptar që ka problem shumë më të rënda se sa një përleshje gjelash Kryeministër-President. Mendoj që të dy nga mënyra se si u zgjidh kanë arritur një fitore të Pirros; sepse njëri pretendon që i ka thyer hundët Kryeministrit kurse Kryeministri që e ka nxjerrë në kokë të vet sepse ka bërë sërish ministër atë që donte. Dhe është një gjë e shëmtuar që besoj do të zgjidhet një ditë nga gjykata kushtetuese kur ajo të konstituohet. Eshtë një precedent që turpëron jo vetëm njerëzit që merren me politikë, por besoj çdo qytetar. Eshtë një betejë e dukshme, evidente për territor që bëjnë dy rivalë politikë por që nuk kanë pse përfshijnë këtu edhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me politikën rajonale apo me çështjen e kufijve të Kosovës e kështu me radhë. Pra është një gjë për t’u harruar dhe unë them që ky precedent duhet të ndërpritet menjëherë, besoj nga Gjykata Kushtetuese, sepse në rast se kjo histori do të vazhdojë, atëhere liderët politikë do të kenë frikë edhe kur fitojnë zgjedhjet se nuk dihet çfarë ndodh a mund të bëhesh Kryeministër apo mund të mos bëhesh apo mund të kesh qeverinë që do apo jo”, tha Patozi për Vizion Plus.










































