Hekuran Hoxha i njohur me nofkën “Roni i Shijakut”, pas 20 vitesh është bërë sërish objekt hetimi për Policinë, në lidhje me trafikun e drogës.
Hoxha dyshohet se është koka e grupit “Avdylaj”, të arrestuar në muajin tetor në kuadër të operacionit Volvo 4. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre pjesëmarrje në grup kriminal, trafik droge dhe pastrim parash.
Ai u arrestua pak ditë më parë, por e kaluara e tij si pjesë e grupeve kriminale e ka zanafillën në Itali dhe Turqi.
Hekuran Hoxha është arrestuar edhe në vitin 2009 si i dyshuar për trafikimin e rreth 400 kg heroine në Itali si dhe në vitin 2011 për trafik heroine në Turqi. Në atë kohë bashkë me Hekuran Hoxhën, në skenë doli edhe emri i Xhemal Pasmaçiut, për arrestimin e të cilëve media turke ka raportuar më herët.
Gjithashtu mediat turke hodhën dritë mbi lidhjet e Hekuran Hoxhës dhe Xhemal Pasmaçiut me shtetasin Abdulselam Turgut, një personazh ky mjaft i njohur nga bota e krimit në Turqi.
Sipas gazetës turke “Hyrriet”, Abdulselam Turgut ka pasur lidhje me një grup shqiptarësh të arrestuar në Durrës për sasi të mëdha heroine.
Personat që kanë pasur lidhje me turkun kanë qenë Hekuran Hoxha dhe Xhemal Pasmaçiu.
Hoxha dhe Pasmaçiu, në bashkëpunim me Abduselam Turgut, ishin akuzuar për trafikimin e një sasie prej 30.5 kilogramësh heroine të pastër.
Arrestimi i dyshes Hoxha-Pasmaçiu
Emrat e Hekuran Hoxhës dhe Xhemal Pasmaçiut u lakuan nga media turke “Hyrriet”, gati 20 vite më parë, për lidhje me trafikimin e lëndës narkotike.
Gjithçka doli në dritë, pas arrestimit të Fenerbahçes me origjinë shqiptare, Ismail Çira, i cili ishte arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës.

Si bashkëpunëtorë të Çirës në Stamboll u arrestua dhe Musa Qazim Ay, Xhemal Pasmaçiu, Hekuran Hoxha, Fatmir Sofia dhe Abdulselam Turgut, të cilët janë gjykuar të burgosur.
Në një tjetër artikull gazeta “Hyrriet” tregon se kush ishte porositësi i 30 kg heroinë. Sipas gazetës në fjalë ai ishte Xhemal Pasmaçiu.
Pasmaçiu, porositësi i heroinës
Gjatë seancës gjyqësore për Ismail Çirën dhe të tjerë, u zbulua se kush ishte porositësi i heroinës.
Çira ka treguar para prokurorëve se kujt do t’ia dorëzonte drogën dhe emrat që ka përmendur janë Xhemal Pasmaciu dhe Hekuran Hoxha.
Gazeta turke “Hyrriet”, shkruan se Çira ka thirrur Xhemal Pasmaçiun dhe Hekuran Hoxhën në Stamboll për të transferuar heroinën në Shqipëri ‘.









































