Qeveria ka vendosur të forcojë masat për financat e politikanëve, të cilët kanë për qëllim pastrimin e parave të pista. Gazeta e ka deklaruar pak kohë më parë se Këshilli i Europës ka dhënë alarmin për pastrimin e parave në Shqipëri. Ndërkohë që për këtë arsye disa javë më parë është mbledhur Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Sipas informacioneve, i pari i qeverisë i ka lënë detyrë Ministrisë së Financave që të bëjë ndërhyrje në disa ligje, duke nisur me ligjin bazë të parandalimit të pastrimit të parave, i cili së shpejti pritet të shkojë në Kuvend. Po ashtu, mësohet se në draftin mbi të cilin është duke punuar stafi teknik i ministrisë, do të synohet të rritet ndjeshëm numri i viteve të vigjilencës së zgjeruar që Agjencia e Inteligjencës e Monitorimit të Parave të Pista dhe subjektet që raportojnë atje, do të kenë mbi personat e ekspozuar politikisht, në lëvizjet dhe kontrollin e pasurisë së tyre. Ky nen përfshin të gjithë zyrtarët e lartë dhe politikanët që janë subjekt i ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive. Aktualisht monitorimi i lëvizjeve financiare të tyre bëhet vetëm 1 vit pas lënies së detyrës. Ndërsa mësohet se pika e dytë mbi të cilën po punohet lidhet me masat ndëshkimore ndaj subjekteve raportuese të rasteve të dyshimta të pastrimit të parave. Kështu, drafti i ri synon dyfishimin e gjobave ekzistuese ndaj bankave të nivelit të dytë, nga 5 milionë lekë të rinj që është sot kjo masë. Për herë të parë ligji do t’i japë mundësi qeverisë që të ushtrojë një kontroll të zgjeruar për pastrimin e parave. Sipas informacioneve, ligji i ri i jep mundësi autoriteteve në kufi, që të sekuestrojnë një nivel të caktuar të parasë “cash” në momentin që nuk deklarohet nga personi që ka sasinë e parave me vete, edhe nëse pas verifikimeve rezulton se nuk ka lidhje me pastrimin e tyre apo financimin e terrorizmit. Masat po merren pas rekomandimeve që la organi i monitorimit të Këshillit të Europës, “Money Val” në raportin për Shqipërinë që publikoi në fund të 2018-s. Shqipëria në këtë raport kishte bërë hapa para në disa fusha, duke lënë pas Serbinë dhe Hungarinë, por është nën monitorim për çështje të tjera të cilat lidhen me efektivitetin e sistemit të drejtësisë.
Pastrimi i parave në Shqipëri
Këshilli i Europës ka dhënë pak kohë më parë alarmin për pastrimin e parave në Shqipëri. “Money Val”, Komiteti i Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit ka publikuar raportin për Shqipërinë dhe shihet me mjaft shqetësim fakti se në vendin tonë nuk hetohen dhe ndëshkohen pushtetarët e përfshirë në pastrim parash. “Money Val” është pjesë e Këshillit të Europës dhe vazhdimisht bën një vlerësim të situatës në shtete të ndryshme të botës. Teksa deri më tani situata në Shqipëri cilësohej e qëndrueshme, ekspertët e KiE e kanë vlerësuar “dobët” vendin tonë në luftën ndaj pastrimit të parave. “Delegacioni ngre një pyetje të tërthortë në lidhje me vlerësimin nën titullin “pasojat e korrupsionit sa i takon numrit të hetimeve të kryera për pastrim parash”. Ekipi i vlerësimit, ka pranuar se korrupsioni paraqet një kërcënim serioz, madje dobësi për vendin dhe hetimet. Ata thonë se kjo është marrë në konsideratë. Megjithatë, nuk ka prova konkrete se është luftuar korrupsioni, kjo e dëshmuar qartë nga numri i ulët i hetimeve për ketë vepër dhe dënimeve për pastrim parash. Në këto kushte, GFI propozon një aksion shtesë për të shqyrtuar situatën, sikundër janë efektet pozitive të reformës në drejtësi, numri i akuzave nga prokuroria për pastrim parash dhe natyra e tyre”, thuhet në raport.
Rigels Seliman
































