Google search engine
Home Aktualitet 8 vite nga 21 Janari, zbardhet rruga për të nxjerrë para drejtësisë...

8 vite nga 21 Janari, zbardhet rruga për të nxjerrë para drejtësisë autorët e vërtetë, Saimir Vishaj tregon procedurat

0
411

Shpresat për të zbardhur ngjarjen e “21 Janarit” nuk janë shuar ende. Dje u shënuan 8 vite nga masakra që ndodhi para Kryeministrisë, ku 4 qytetarë të thjeshtë u vranë nga pushteti. Por edhe pse është një ndër ngjarjet më të rënda në historinë e demokracisë së vendit, autorët e vërtetë të saj nuk janë ndëshkuar. Agim Llupo dhe Ndrea Prendi ishin të vetmit që e pësuan, por dhe ata morën një dënim minimal. Por Shqipëria po përballet me një reformë rrënjësore në drejtësi dhe ajo pritet të ngjallë shpresë te shqiptarët. Sigurisht që porositësit dhe ekzekutorët e vrasjeve në bulevard duhet të ishin ndëshkuar shumë kohë më parë, por mundësitë që ata të ndëshkohen tani nuk janë shuar. PS mban mbi supe përgjegjësinë që nuk e ndoqi si duhet këtë ngjarje, por ngritja e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit mund të ndryshojë gjërat. Pro si mund të rihapet dosja e SPAK? Si mund të ndëshkohen drejtuesit politikë të asaj kohe? Gazeta ka folur me juristin Saimir Vishaj, i cili ka treguar rrugën që mund të ndiqet për të shkuar te zbardhja e plotë e ngjarjes së 21 janarit dhe ndëshkimin e autorëve të vërtetë. Sipas avokatit, dosja që është gjykuar nuk mund të rihapet, por kjo nuk e ndalon prokurorinë të hapë një proces të ri. Ajo që e mundëson këtë është se për dy prej viktimave nuk ka pasur autorë dhe dosja nuk ka shkuar në gjykatë. Sipas tij, vetë familjarët mund të bëjnë padi në prokurori dhe së dyti prokuroria mund të nisë hetimet për 2 vrasjet e pazbardhura. ”Për pjesën që është gjykuar, nuk mund të hapet, ndërsa për pjesën që është gjykuar që në prokurori, mundet. Nuk ka rihapje çështjesh për gjënë e gjykuar. Ajo që është e gjykuar, është e gjykuar. Familjarët duhet të bëjnë kërkesë për rigjykim për pjesën e veçuar në prokurori. Nga katër të vrarët, është gjykuar vetëm për dy viktimat, për dy të tjerët mund të ketë rihetim”, tha avokati. Vetë familjarët dje kanë bërë drejtpërdrejt përgjegjës, Sali Berishë, ish-kryeministër në atë kohë. Madje ai dhe në disa dalje që ka bërë më pas, nuk ka treguar asnjë pendesë. Po ashtu, përgjegjës është dhe kreu demokrat Lulzim Basha, i cili mbante postin e Ministrit të Brendshëm. Juridikisht drejtësia e re i ka mundësitë që kjo ngjarje të rihetohet. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.

Meta ikën jashtë vendit

Presidenti i vendit Ilir Meta ka preferuar që të dalë jashtë vendit në përkujtim të ngjarjes së 21 janarit. Dje ai nisi një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Por ajo që bie në sy është se Meta pothuajse çdo 21 janar ka dalë jashtë vendit. Çdo vit ai ka zhvilluar vizita në SHBA, Kosovë, Maqedoni e vende të tjera, duke bërë që asnjëherë të mos jetë në vend në këtë datë. Por pse? Protesta e 21 Janarit u zhvilluar për të. Në atë kohë shpërtheu skandali i përgjimit, ku Dritan Prifti tregoi me zë dhe figurë pazaret që bënte me ish-kreun e LSI. Bëhet fjalë për shumë deri në 700 mijë euro. Gjykata e shpalli të pafajshëm Ilir Metën, por pati shumë reagime. PS protestoi pikërisht kundër tij dhe protesta u kthye në tragjedi. Tani Meta ka preferuar që në këtë datë të dalë jashtë vendit.

Si u mbyll 21 janari

Drejtësia shqiptare dështoi përpara ngjarjes së 21 Janarit. Edhe pse kishte me dhjetra prova filmike dhe materiale të tjera, të gjithë ja hodhën paq. Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi u shpall fajtor për ngjarjen e 21 Janarit për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj, ndërsa vartësi i tij Agim Llupo për vrasjen e Ziver Veizit. Të dy ata bashkë u dënuan në total me katër vite burg. Por gjykimi për vrasjen e katër demonstruesve në Bulevard e njohu dështimin e parë në Gjykatën e Tiranës ku Prokurorisë i ra poshtë akuza e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese. Edhe pse Prokuroria kishte kërkuar gati gjysmë shekulli burgim, të dy ata edhe Prendi edhe Llupo u shpallën të pafajshëm për këtë akuzë pasi sipas kryesuesit të trupës, Besnik Hoxha, Prokuroria nuk solli prova bindëse. Më pas procesi dështoi nga njëra shkallë në tjetrën. Në fund ishte Gjykata e Lartë që vulosi gjithçka, duke mos pranuar ankimimin e Gjykatës së Lartë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here