Dokumentet e CIA, ja çfarë rëndësie kishte Shqipëria për sovjetikët, amerikanët i trembeshin ngritjes së bazave ushtarake

0
448

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi arsyet që çuan në vendosjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Shqipëria kishte qëllime ekonomike, por sipas amerikanëve BRSS kishte si synim të shfrytëzonte pozitën gjeografike. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se sovjetikët kërkonin të ngrinin baza ushtarake.

20 qershor 1951

Rëndësia e Shqipërisë për rusët

Politikisht, Shqipëria është e rëndësishme për sovjetikët si një tempull i komunizmit në Ballkan e në Mesdhe. BRSS do ta konsideronte humbjen e saj si humbje të prestigjit, veçanërisht pas dezertimit të Jugosllavisë. Por megjithëse ka një pozicion strategjik në hyrje të detit Adriatik, kushtet moderne për zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake janë të vogla. Ishulli i Sazanit ka qenë një bazë e vogël nëndetësesh italiane dhe sipas disa zhurmave edhe sovjetikët po përpiqen të rindërtojnë këto baza pas luftës. Ka raportime të pakonfirmuara për rindërtim të fushave ajrore nga sovjetikët. Shqipëria ka një pozicion të mirë për instalime paralajmëruese të mbrojtjes ajrore, por deri tani nuk ka prova të instalimit të radarëve sovjetikë. Që prej distancimit të saj nga Jugosllavia, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj strategjike për arsye të mungesës së komunikimit me orbitën sovjetike. Por ajo mund të jetë e rëndësishme për një fushatë tokësore në Ballkan, pasi operacione të mundshme në bashkëpunim me Bullgarinë, nëse janë të suksesshme mund të ndajnë Greqinë nga Jugosllavia.

Stabiliteti i regjimit dhe masa e kontrollit sovjetik

Para përçarjes mes Jugosllavisë dhe Cominform në vitin 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë politikisht dhe ekonomikisht me Jugosllavinë. Por në vend që të ndiqte devijimin e marshallit Tito, Hoxha zgjodhi kampin e Moskës dhe nisi një fushatë të ashpër kundër nacionalistëve shqiptarë. Ai jo vetëm e përjashtoi vendin nga lidhjet me Jugosllavinë, por me këtë rast zhduku të gjithë konkurrencën për pushtet brenda Shqipërisë. Një rivalitet mes Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu duket se është i parëndësishëm pasi të dy kontrollohen nga Kremlini. Shqipëria është totalisht e varur nga ndihma sovjetike. Pa të ekonomia e vendit do të tronditej brenda disa muajve. Kontrolli sovjetik në vend përforcohet nga rreth 1000 deri në 1500 “ekspertë” në pozicione të rëndësishme si ushtri, polici, administratë civile dhe në radhët e partisë. Me mbështetjen sovjetike Hoxha dhe Shehu kanë qeverisur vendin deri tani me metodat policore të terrorit dhe me kontrollin e ashpër ekonomik. Megjithëse ka prova mungese besnikërie dhe oportunizmi në radhët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë, ato kanë rezultuar efektive në shtypjen e opozicionit. Mbështetja sovjetike në Shqipëri nuk është shoqëruar me një pakt të përbashkët asistence, ndoshta ngaqë sovjetikët duan të lënë një situatë të hapur pa përkushtime që mund t’i vënë më vonë në siklet. Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë (16 dhjetor 1947). Por gjithsesi ndonjë ndryshim në situatën shqiptare që mund të kërcënojë kontrollin e Kremlinit do të prekte menjëherë prestigjin sovjetik, në një moment ku edhe një satelit tjetër iu shmang urdhrit të tij. Prandaj një zhvillim i tillë do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare. Veprimi sovjetik në rast të një zhvillimi të tillë do të varej nga përparësitë e strategjisë së tyre botërore.

Shtator 1953

Raport i zhvillimeve operacionale

Radio Greqia e Lirë më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht. U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të ministrisë së Brendshme egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh. Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë jurisdiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga ministria e brendshme. Gjatë muajit shtator Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të radios Evropa e Lirë. Megjithëse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.

Forcat e sigurisë, njësitë e veçanta

Në fillim të 1956 seksioni i punëve të brendshme të rrethit të Sarandës u transferua në Delvinë. Ndërsa për forcat e mbrojtjes bregdetare, komanda e Sarandë i përgjigjet njësisë kryesore të Durrësit. Janë disa nën njësi të grupit bregdetar të artilerisë së Sarandës, të shpërndara përgjatë bregut: një njësi me 4 topa është vendosur në Kefali, e cila deri në verën e 1954 ka pasur artileri italiane. Por më vonë armë të reja sovjetike u vendosën në disa poste bregdetare artilerie. Topat erdhën me rrugë detare pasi nuk kishte rrugë që lidhte postet me zonat e brendshme.

Politika e brendshme, aktivitetet e partisë

Pas Kongresit të fundit të Partisë Komuniste në maj 1956, numri i anëtarëve të Byrosë Politike u rrit nga 7 në 12, ku anëtarët e vjetër ruajtën postet dhe vetëm u shtuan pesë anëtarë të rinj. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë tani ka 40 anëtarë. Organizatat më të ulëta të partisë (komiteti i qarkut, dhe organizata bazë) mbeten ashtu siç kanë qenë. Komiteti i qarkut ka sekretarin e parë, sekretarin e dytë, zyrën e dokumenteve sekrete dhe zyrën e agjitacion-propagandës. Kjo e fundit ka një numër agjitatorësh që dalin nëpër fshat me qëllim indoktrinimin e fshatarëve. Edhe agjitatorët kanë rendin e tyre teksa zyrtarët me më pak eksperiencë përdoren për çështje më pak të rëndësishme agjitacioni (një fshatar me arsim përdoret për indoktrinimin e mesatarisht 5 fshatarëve të tjerë). Zyra e bujqësisë përfshin disa sektorë të prodhimit dhe gjithashtu pranon njerëz çdo ditë, për të dëgjuar ankesat e tyre mbi padrejtësitë nga autoritetet si vendosjen e taksave të rënda ose kritikat e një superiori p arsye serioze. Sa herë që ankesat kanë prova, atëherë zyra ka të drejtë të veprojë sipas procedurës. Organizata bazë e fshatit të Nivicës ka anëtarët e mëposhtëm: Risto Papadhima, Leko Vjerri, Thoma Strati, Leo Dami, Ilo Boci. Të lartpërmendurit ishin ngarkuar nga partia për të bindur bashkëfshatarët e tyre të futeshin në kooperativë, por banorët e Nivicës kanë kundërshtuar ashpër pjesëmarrjen në koopeerativë dhe kolektivizimin e bujqësisë. Kështu që anëtarët e partisë shpjeguan se nuk mendonin se kooperativa do të funksiononte. Por më mars 1956, pas rritjes së presionit, autoritetet arritën të organizojnë kooperativën bujqësore të 35 familjeve fshatare, duke përfshirë dhe anëtarët e Partisë Komuniste. Rreth një muaj më vonë kooperativa thuajse u shpërbë pas largimit të anëtarëve. Organizata komuniste e konsideroi këtë një shkelje të rëndë ideologjike dhe një sabotim kundër politike bujqësore të partisë, prandaj disa anëtarë u përjashtuan nga partia. Në fillim të prillit 1956, anëtarët e përjashtuar nga partia u mblodhën në Gjirokastër, ku Mehmet Shehu i dha një kritikë të fortë por i ripranoi në parti, pasi u zotuan se do të hynin përsëri në kooperativë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here