Monedha e përbashkët europiane është zhvlerësuar për kundrejt lekut duke arritur pranë nivelit më të ulët të këmbimit në 11 vjet. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer me 124.3 lekë, apo rreth 0.16 pikë më pak se një ditë më parë.
Sipas aktorëve kryesor të tregut rënia e euros reflekton parapërgatitjet për festat. Shumë biznese po nxitojnë të mbyllin pagesat duke qenë se në pesë ditët e ardhshme bankat do të jenë pushim.
Faktor tjetër është edhe qarkullimi i ulët i lekut në ekonomi. Ekspertët e këmbimit valutor shprehen se aktualisht tregu i valutës është i qetë.
Në 5 qershor, euro zbriti në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet dhe më pas Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg përmes tërheqjes së më shumë se 100 milionë eurove, duke e çuar euron në ditët e mëpasshme deri në 129-130 lekë, por më pas kursi u stabilizua në rreth 126 lekë.
Që nga mesi i shtatorit, kur Banka e Shqipërisë rralloi ndërhyrjet dhe më pas sinjalizoi tregjet se do ta linte kursin e lirë, euro filloi një zhvlerësim gradual.
Nga 1 janari deri në 23 nëntor, kursi mesatar i këmbimit të euros është 127.9 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar, me një nënçmim prej 5.5 lekësh, duke u luhatur në nivelin më të ulët nga vitit 2008, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 122.8 lekë.