Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e djeshme se shumë shpejt do të marrin zgjidhja të gjitha problemet e minatorëve dhe të atyre që punojnë në profesione të vështira. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Has për platformën e bashkëqeverisjes, i pari i qeverisë theksoi se brenda nëntorit mazhoranca do të ketë gati një ligj për statusin e minatorit, e cila i jep një herë mirë zgjidhje kësaj çështjeje. Një pretim të tillë kryeministri e bëri pas ankesës së një qytetari, i cili u shpreh se edhe pse kishte punuar 24 vite në minierë, shteti nuk i njeh asnjë vit pune. Duke i kërkuar që shqetësimin e tij ta adresojë tek platforma e bashkëqeverisjes, Rama shtoi se ligji që po përgatitet do të jetë si i Evropës.
“Ajo që duhet të bësh është ekzaktësisht ajo që kanë bërë këta që janë këtu me mua. S’ka nevojë as ta zgjasësh as të presësh. Sa të dalësh që këtu për 3 minuta çoje çështjen te platforma shqipëriaqëduam.al dhe nëse të takon, unë besoj që të takon, ata që s’ta kanë dhënë nëqoftëse të takon do të ikin nga puna dhe ti do marrësh atë që të takon. Për sa i përket statusit ne po bëjmë një projektligj siç e ka e Evropa, një draft-ligj për status për të gjitha këto statuse pune të vështira që do të hyjnë tek kategoritë me një status të veçantë. Po bëj një projektligj këtë punë dhe do ta çoj në Parlament besoj brenda nëntorit dhe do t’i japim një zgjidhje kësaj çështjeje mënyrë definitive brenda mundësive, por duke respektuar edhe sakrificat në këto punë të vështira që kenë bërë”, tha Edi Rama.
Një vëmendje të veçantë kryeministri Edi Rama i kushtoi dje edhe problemit që kanë shumë pensionistë me llogaritjen e pensionit. Ai deklaroi se për t’i dhënë zgjidhje edhe kësaj çështjeje është ngritur një grup pune tek platforma e bashkëqeverisjes e cila ndjek çdo rast të qytetarëve dhe i ndihmon në përllogaritjen e duhur të pensionit. Për këtë arsye, kreu i qeverisë iu kërkoi pensionistëve që të drejtohen tek platforma për çdo shqetësim, ndërsa theksoi se çdo person që ka abuzuar me llogaritjet e pensioneve do të përballet me drejtësinë.
“Unë iu bëj thirrje të gjithë pensionistëve, të gjitha familjeve që kanë në shtëpi pensionistë që kanë probleme me llogaritjen e pensionit që t’i drejtohen platformës për çdo rast kur nuk marrin përgjigje nga zyrat e sigurimeve shoqërore. Ndodh shpesh që në zyra ka zvarritje, ka indiferencë ndaj këtyre të moshuarve, që me plot të drejtë shkojnë e vijnë për të marrë atë që iu takon. Nuk ka nevojë fare të lodhen. Mjafton që t’i drejtohen Platformës me ndihmën e nipërve e të mbesave, siç ka bërë edhe zoti Qazim dhe brenda 10 ditëve bëhen llogaritë dhe merret vendimi për të dhënë pensionin sipas llogaritjes së saktë. Ndërkohë, ata, të cilët e pengojnë këtë proces dhe janë shkaktarë për mos llogaritjen e saktë, marrin ndëshkimin e merituar me vërejte, ose me largim nga puna”, tha ai.