Lojtarët e Kombëtares tonë po përpiqen të krijojnë një profil suksesi për këtë sezon dhe ka mjaft futbollistë kuqezinj që kanë rritur ndjeshëm minutazhin e tyre në fushë me skuadrat e tyre europiane. Por ka dhe lojtarë të tjerë që janë ende në kërkim të vetvetes dhe një prej tyre është mesfushori me tipare sulmuese Armando Vajushi, i cili po kërkon skuadër për vazhdimësinë e karrierës. Shkodrani ka qenë pjesë e shumë skuadrave në kampionatin italian, por nuk ka shkëlqyer me asnjërën deri tani, pasi dëmtimet nga njëra anë dhe projektet e vetë teknikëve të klubeve ku ka luajtur nuk e kanë lënë të shpalosë aftësitë e tij teknike të cilat i ka në dozë të madhe. Janë vetë mediat italiane që shkruajnë se pas Azdren Llullakut një tjetër lojtar shqiptar mund të largohet nga Italia për t’u transferuar në Rumani. Bëhet fjalë për ish futbollistin e kombëtares shqiptare Armando Vajushi i cili aktualisht është një lojtar pa kontratë dhe është në pritje të një ofertë të mirë për të vazhduar karrierën në një tjetër klub. Vajushit gjatë kësaj vere i përfundoi kontrata me Pro Vercellin që u rrëzua një kategori më poshtë. Mediat italiane bëjnë me dije se për ish lojtarin e Kievos, Livornos e Avelinos interesohet kampionia në fuqi e Rumanisë. Pikërisht menaxheri i futbollistit shqiptar Sokol Haxhia së fundmi ka qenë në Rumani për të ndjekur nga afër një ndeshje të CFR Kluzh dhe për të diskutuar nga afër me drejtuesit e këtij klubi. Së shpejti palët mund të arrijnë një marrëveshje me Vajushin që mund ta vazhdojë karrierën në Rumani, atje ku luajnë edhe të tjerë futbollistë shqiptarë si Kamer Qaka, Azdren Llullaku apo edhe Enriko Papa. Natyrisht, rumunët janë gati të nënshkruajnë një kontratë dyvjeçare me mesfushorin shqiptar që ka tipare sulmuese. Marrëveshja mund të finalizohet në ditët në vazhdim, duke i dhënë mundësinë Vajushit që të rifillojë në një kampionat të ri karrierën e tij e cila e ka parë të luajë vetëm 31 ndeshje në 2 sezonet e fundit. Duhet thënë se karriera e Armando Vajushit mund të rifillojë në kampionatin rumun të futbollit, pasi mesfushori shqiptar është në negociata me një nga klubet më të njohura në vend. Sipas medieve italiane, CFR Kluzh ka shfaqur interes për mesfushorin me tipare ofensive i cili është pa skuadër dhe mund të firmosë kurdo nëse kalon testet fizike. Vitet e fundit në kampionatin italian nuk kanë qenë të suksesshëm për Vajushin, i cili kaloi nga Pro Verçeli te Avelino por pa qenë kurrë protagonist ashtu siç dëshironte ai, i ndalur vazhdimisht nga dëmtimet e shumta që e kanë shqetësuar gjatë gjithë karrierës. Pas rënies së Pro Verçelit në Serinë C, lojtari ndërpreu marrëveshjen me klubin italian dhe ishte në kërkim të një skuadre të re. Për këtë arsye kanë nisur bisedimet me klubin rumun, duke dëshiruar arritjen e një marrëveshje për dy vjet kontratë. Klubi i Kluzhit është një nga më të njohurit në kampionatin rumun dhe një marrëveshje e Vajushit me këtë klub mund t’i jepte shkodranit një hapësirë të re për të treguar vlerat e tij. Në këtë moment, për të është e rëndësishme që të luajë, në të kundërt do të humbasë shumë nga karriera e tij që me pak sforco dhe me pak fat mund të kishte qenë shumë herë më e suksesshme, pasi cilësitë teknike të Vajushit janë vërtet impresionuese. Natyrisht, arritja e një marrëveshje me CFR Kluzh duket e vështirë, por nëse klubi pranon që lojtari të kalojë testet fizike dhe më pas të arrihet një akord financiar, atëherë për Vajushin do të hapet një derë e re në karrierë dhe ai mund të rikthehet në ditët e tij më të mira. Fakti që ka bisedime tregon se palët kanë shpresë për arritjen e një kompromisi, megjithatë lojtarit, në çdo rrethanë, duhet t’i krijohen mundësitë të gjejë sa më parë skuadër për të luajtur./Adriatik BALLA