Dhjetëra mijëra trupa të Natos filluan dje manovrat e quajtura ‘Trident Juncture’, stërvitja më e madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me fokus në reagimin e përbashkët të aleancës ndaj sulmit kundër një vendi anëtar. Në manovrat masive në Norvegji marrin pjesë 31 vende anëtare dhe partnere të aleancës, ndërkohë që po ndiqen me vëmendje nga Rusia. Komandanti i Lartë i NATO-s, Major Davor Petek tha se fushata e fundit ka si objektiv mprehjen e aftësive për t’u përballur me çdo lloj kërcënimi ndaj kufijve të aleancës. “Mesazhi është i thjeshtë. Jemi të gatshëm dhe të aftë të përballemi me çdo lloj kërcënimi ndaj kufijve të NATO-s. Kjo është e vetmja arsye e manovrave”, tha Petek. Në stërvitjen masive marrin pjesë 50 mijë trupa, 65 anije, 250 mjete ajrore dhe 10 mijë mjete tokësore. NATO thotë se manovrat nuk janë akt agresioni dhe ka ftuar Rusinë për të vëzhguar. Admirali James Foggo, Komandant i Forcave Detare në Evropë dhe Komandës së NATO-s në Florida tha: “Është mirë që kemi vëzhgues sepse do të shohin që jemi shumë të përgatitur. Dhe se kemi një efekt përmbajtës për këdo që kërkon të kalojë caqet, veçanërisht për një vend”.
Tensione të vazhdueshme me Rusinë
Manovrat vijnë ndërkohë tensionesh të vazhduara mes Rusisë dhe Perëndimit, por gjithashtu pas kritikave të presidentit amerikan Donald Trump për nenin 5 të traktatit themeltar, që përcakton se nëse ndodh një sulm kundër një vendi anëtar atëherë do të ketë një përgjigje të përbashkët. SHBA është ankuar se forcat evropiane të NATO-s nuk kanë përgatitjen dhe pajisjet e mjaftueshme, prandaj Uashingtoni mban barrën më të rëndë për mbrojtjen kolektive. Por fushata e fundit është gjithashtu një kundërpërgjigje ndaj manovrave masive të Rusisë dhe aleatëve të saj muajin e kaluar, në të cilën morën pjesë rreth 300 mijë ushtarë, avionë dhe mjete të tjera ushtarake. Presidenti Trump ka thënë se traktati ishte vjetruar dhe nuk përfshinte kufizimet për fuqi të reja bërthamore si Kina dhe ndoshta Irani, ndërsa Moska tha se tërheqja amerikane i hapte rrugë një gare të re armatimesh.
Putin: SHBA po përshkallëzon situatën
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi dje përsëri Amerikën për tërheqjen nga traktati i armëve bërthamore, dhe shtoi madje se Rusia do të përgjigjet në të njëjtën natyrë ndaj çdo rakete të re amerikane të vendosur në Evropë. Duke folur pas takimit në Moskë me këshilltarin e Trump për Siguri Kombëtare, John Bolton, Putin paralajmëroi se braktisja e traktatit dhe dështimi për të ofruar një tjetër marrëveshje mbi kontrollin e armëve, do të vendosë Evropën në rrezik. “Zhbërja e një sistemi global të kontrollit të armëve është shumë e rrezikshme dhe Rusia është e shqetësuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur tashmë traktatin”, tha Putin në një konferencë për shtyp. Presidenti rus shtoi se nëse Uashingtoni transferon më shumë raketa në Evropë, atëherë Rusia do të përgjigjej në të njëjtën mënyrë. “A do të mund të përgjigjemi ne? Po, do të përgjigjemi dhe do të jetë diçka shumë e shpejtë dhe efektive”, tha ai. Putin shtoi se çdo vend evropian që do të pranojë të strehojë raketa amerikane do të vihet përballë rrezikut të një sulmi rus. “Këto janë gjëra të qarta”, tha udhëheqësi rus. “Do të ktheheshim edhe njëherë në situatë të ngjashme me raketat Pershing në Europë”, shtoi ai, duke iu referuar raketave amerikane të dislokuara në Evropën Perëndimore në vitet ’80./Andi LAMKO