Konferenca ishte lajmëruar më herët dhe shumë prisnin ndonjë arrestim të bujshëm në vazhdën e arrestimeve të fundjavës, por e gjithë kjo dalje, ka qenë për të njoftuar se është arrestuar një i kërkuar në Itali.
I arrestuari është Masimiliano Masimilliano Croce, 45 vjeç, banues në Romë.
“Nga viti 2007-2014, shtetasi italian ka kryer krime kundër të miturve, abuzime, pedofili.
Gjatë periudhës së këtyre krimeve ka shërbyer si mësues për jetimët në Romë.
Pas shkëmbimit të informacionit, u lokalizua dhe arrestua autori në një banesë me qera në Tiranë pasi i fshihej drejtësisë prej 4 vitesh”, tha Edi Merkaj, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale.
“Policia italiane ka krijuar një njësi operative me iniciativë të projektit që merret me kërkimin e njerëzve të kërkuar nga drejtësia italiane.
Në këto rrethana, bashkëpunimi me Shqipërinë ishte eficent, shpresojmë që të jetë në vazhdon e një bashkëpunimi më të mirë”, tha ndërkaq komisari italian.
Deklaratë e përbashkët për mediat e Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane – Edi Merkaj, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, PSH
Jam sot këtu në këtë deklaratë për media së bashku me kolegët e mi nga Policia italiane, për t’ju bërë më dije një tjetër operacion të përmbyllur me sukses:
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e përbashkët me Policinë italiane duke arrestuar në Tiranë një shtetas italian, i cili ishte i dënuar nga gjykata atje për krime ndaj të miturve.
Operacioni u krye në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Shtetit me Shërbimin Qendror Operativ në Drejtorinë e Përgjithshme Antikrim, skuadra e lëvizshme e kuesturës së Romës dhe Zyra e Interforcës pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri. Hetimi ka nisur në mes të muajit Tetor dhe u mbyll me sukses në më pak se 15 ditë, falë bashkëpunimit intensiv ndërmjet agjencive tona dhe atyre italiane.
Shtetasi i arrestuar quhet Masimilliano Croce, 45 vjeç, nga Ciampino, Romë, i diplomuar për pedagogji për të mitur.
Sipas vendimit të gjykatës italiane, ky shtetas, në periudhën 2007 – 2014 ka kryer krime kundër të miturve, abuzime me fëmijë, pedofili. Në vitin 2017 është dënuar nga kjo gjykatë me vendim të formës së prerë, me 16 vite burg, për veprën penale “Dhunë seksuale ndaj të miturve”. Ky shtetas, gjatë periudhës së kryerjes së këtyre krimeve, ka shërbyer si mësues komuniteti për fëmijët e varfër dhe jetimë, në provincat e Romës dhe në qytetin e Romës.
Pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale midis kolegëve italianë dhe Drejtorisë Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminale, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit, i cili fshihej në një banesë me qira në një zonë periferike të Tiranës. Autori i arrestuar i fshihej drejtësisë italiane prej më shumë se 4 vitesh.
Operacioni i kryer është rrjedhojë e bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve, dhe tregon edhe njëherë rritjen e besimit reciprok mes palëve.
Policia e Shtetit është e angazhuar ndërkohë që prej mesit të muajit Shtator, siç jeni njohur, në një operacion të gjerë për kontrollin e territorit të koduar “Ndëshkimi i të fortëve”. Mbi 300 persona me precedentë dhe të skeduar janë arrestuar për disa javë në këtë kuadër, mes tyre mbi 160 vetë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Policia e Shtetit gjen rastin të përsërisë apelin për çdo qytetar të kontribuojë për rritjen e parametrave të sigurisë, mbrojtjen e rendit, qetësinë publike, respektimin e ligjit nga të gjithë, për vendosjen e autoritetit të shtetit duke telefonuar për çdo problematikë në numrin falas 112.