Sezoni artistik i Teatrit Kombëtar, deri tani 5.440 spektatorë

    0
    482

    Teatri Kombëtar bën me dije se 5438 spektatorë deri tani kanë ndjekur shfaqjet dhe festivalin teatror që u zhvillua te “Ar Turbina”. Përmes një videoje të publikuar Teatri Kombëtar prezanton dy premierat “Tag” dhe “Peng” këtë sezon artistik, por dhe debatet artistike apo dhe shfaqjet gjatë Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. “1 muaj në 1 minutë shtatori 2018, hapja e mbarë e sezonit të ri artistik të Teatrit Kombëtar”, shkruan teatri në faqen e tij.

    “TAG” ishte dhe premiera e parë në sezonin artistik të teatrit që hapi dhe festivalin që u zhvillua te “arTurbina”. Vepra shkruar nga Bashkim Hoxha erdhi në skenë me regji të Andia Xhungës, skenograf Genc Shkodrani dhe kostumografe Berina Kokona, si dhe muzika Agim Krajka dhe Saimir Çili. Rolet në vepër u interpretuan nga aktorët Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Eriona Kakeli, etj. Nga vetë titulli, “Tag” kuptohet që lidhet me rrjetet sociale, të cilat janë kthyer në një virus, pse jo edhe shkatërrues për shoqërinë. Dramaturgu nxitet nga një shqetësim i së përditshmes për të ndërtuar një vepër, e cila nuk të bën vetëm të qeshësh me situatat e krijuara prej ngatërresave e krijuara pikërisht nga komunikimi virtual mes njerëzve, por edhe të reflektosh mbi largësinë shpirtërore që kanë sjellë rrjetet sociale.

    Drama “Peng” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo erdhi si premierë te “arTurbina” për publikun. Kjo vepër shqiptare bashkon në role aktorët e Teatrit Kombëtar dhe teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Drama shqiptare “Peng” sjell ngjarjet që zhvillohen në shoqërinë tonë në ditët e sotme. Në vepër trajtohen në dy linja, e para që trajton raportet e televizionit me shoqërinë tonë, dhe linja e dytë në shfaqje është një individ, që përpiqet të gjejë vendin e vet. Ai përpiqet të sistemojë jetën e tij mes vështirësive që ka vendi ynë. Në role janë aktorët Neritan Liçaj, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Suela Dako, Ervin Doko dhe Jaho Guma nga teatri i Durrësit, si dhe dy aktorë të jashtëm të teatrit që janë Kastriot Shehi dhe Erion Hodo. Në shfaqje janë disa personazhe kryesore, mes tyre Justin interpretohet nga aktori Neritan Liçaj.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here